Sikurse shtypi serbe, edhe mediat në Danimarkë kanë mirëpritur humbjen e Kombëtares shqiptare nga Portugalia, me rezultat 0:1, në kuadër të eliminatoreve për ‘Euro 2016’.
“Portugalia: Me Danimarkën do të jetë një finale”. Kështu e nis titullin kryesor gazeta daneze “Ekstra Bladet” duke iu referuar sfidës së 8 tetorit në Braga ku skuadra nordike do të udhëtojë për sfidën e fundit të Grupit eliminator.
Pasi kjo e përditshme i kushton një hapësirë të madhe suksesit të Portugalisë në Shqipëri me titullin, “Portugalia i jep një dorë Danimarkës”, thekson se skuadra e Marten Olsen po kalon një moment negativ pasi në dy ndeshjet e fundit nuk arriti të shënonte asnjë gol dhe tani është e detyruar të luajë një 90 minutësh vendimtar.
Gazeta sjell në plan të parë intervistat e lojtarëve dhe trajnerit portugez, sipas të cilëve, sfida e Tetorit është vendimtare për kualifikimin në Euro 2016, shkruan SuperSport.
Edhe gazeta tjetër “Jyllands-Posten” i kushton një hapësirë të madhe fitores së Portugalisë duke veçuar Etrit Berishën si një nga më të mirët në fushën e lojës.
Ndërkohë, në faqen e internetit, televizioni TV2bën lojë fjalësh me titullin: “Ndihmë e shpejtë për Danimarkën, Portugalia fiton në kohën shtesë kundër Shqipërisë”, duke shtuar se luzitanët arritën të gjejnë tre pikëshin ashtu si në “Telia Parken” vetëm në fundin e takimit, duke kryesuar bindshëm me 15 pikë, të ndjekur nga Danimarka me 12 dhe Shqipëria me 11.