Ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku, ka përshëndetur miratimin e rezolutës nga Parlamenti Europian mbi procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Çollaku ka thënë se më këtë vendim nga Parlamenti Europian i bëhet thirrje vendeve anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.
Në një postim në Facebook, ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku, thotë se kjo rezolutë i jep mbështetje të fuqishme perspektivës europiane të Kosovës, ku kërkohet nënshkrimi i MSA-së, gjatë këtij viti dhe vlerësohet progresi për liberalizmin e vizave, transmeton lajmi.net.
Ai po ashtu ka thënë se Kosova i mirëpret rekomandimet e kësaj rezolute që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, reformat në administratë publike, luftën kundër korrupsionit.
Ja postimi i plotë i Çollakut:
Dje në Strasburg, Parlamenti Evropian miratoi rezolutën e radhës mbi procesin e integrimit evropian të Kosovës. Edhe kjo rezolutë dëshmon se Parlamenti Evropian mbetet një nga institucionet më mbështetëse të Republikës së Kosovës dhe procesin e integrimit evropian të vendit.
E mirëpres faktin që edhe përmes kësaj Rezolute i bëhet edhe një thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së të mbetura ta njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës. Rezoluta i jep një mbështetje të fuqishme perspektivës evropiane të vendit, duke bërë thirrje për nënshkrimin e shpejtë të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, që do të përforcoj dialogun politik në mes BE-së dhe Kosovës, do të integroj tregtinë dhe do të siguroj forma të reja të bashkëpunimit. Parlamenti Evropian ka kërkuar që Këshilli të merr një vendim për nënshkrimin e MSA-së sa më shpejt dhe gjithsesi në pjesën e parë të këtij viti. Konfirmohet edhe progresi i Kosovës në përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, dhe bën thirrje që të bëhet gjithçka e mundshme që të përshpejtohet ky proces, gjë për të cilën institucionet e vendit janë të përkushtuara maksimalisht.
Është shumë i mirëpritur fakti që Parlamenti Evropian kërkon në mënyrë afirmative përforcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përmes përfshirjes në organizata evropiane dhe ndërkombëtare, sigurimit të Kodit ndërkombëtar telefonik, dhe krijimit të kushteve për pjesëmarrjen e sportistëve dhe artistëve në gara ndërkombëtare si qytetarë të Republikës së Kosovës. Kjo rezolutë e mirëpret rolin e Kosovës në koalicionin për të luftuar terrorizmin dhe veprimet lidhur me luftëtarët që i bashkëngjiten luftërave të huaja, fushë kjo ku Kosova ka ndërmarrë hapa të vendosur. Ndërsa nga Serbia kërkohet rol konstruktiv në shpërbërjen e strukturave të tyre paralele dhe të mundësojnë ngritjen e përfshirjes së komunitetit serb në kornizën institucionale të Kosovës.
Mirëpresim rekomandimet e përfshira në këtë rezolutë që kanë të bëjnë me vazhdimin dhe thellimin e reformave në fushat e sundimit të ligjit, drejtësisë, administratës publike si dhe përkushtimin për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sigurisht se këto do të shqyrtohen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe do të investohet përkushtimi i plotë për t’i adresuar këto rekomandime në kuadër të procesit integrues.
Për fund dua të shpreh mirënjohje për rolin e eurodeputetes raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian znj. Ulrike Lunacek që e ka udhëhequr punën rreth kësaj rezolute, si dhe kolegëve të saj në Parlamentin Evropian që vazhdojnë t’i japin mbështetje Kosovës.
Ja çfarë do të përfitojë Kosova, sipas Çollakut, nga Rezoluta e PE-së
NGA KATEGORIA