Izraeli tha të shtunën, më 28 tetor, se po zgjeron operacionin e tij tokësor në Gazë, me këmbësorinë dhe autoblindat që po mbështeten nga sulmet “masive” nga ajri dhe deti, përfshirë edhe bombardimin e tuneleve të Hamasit. Tunelet e Hamasit janë një cak kyç i fushatës së Izraelit për të shtypur grupin që kontrollin këtë territor, pas inkursionit vdekjeprurës të Hamasit në jug të Izraelit tri javë më parë.
Ushtria izraelite ka publikuar fotografi të tankeve duke lëvizur drejt zonave të hapura në Gazë dhe tha se avionët luftarakë kanë bombarduar dhjetëra tunele dhe bunkerë nëntokësorë të Hamasit.
“Forcat janë ende në terren dhe po vazhdojnë luftën”, tha zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, të shtunën, duke sugjeruar se faza e re ka nisur në atë që pritet të shndërrohet në një pushtim të plotë tokësor në veri të Gazës.
Ditë më parë, Izraeli grumbulloi qindra mijëra trupa përgjatë kufirit. Deri më tani, trupat izraelite kanë kryer operacione të shkurtra tokësore gjatë natës dhe janë kthyer në Izrael.
Hagari tha se trupat tokësore po mbështeten, nga ato që ai i cilësoi si sulme masive nga ajri dhe deti. Ai tha se edhe dy komandantë kyçë ushtarakë të Hamasit janë vrarë gjatë natës, duke argumentuar se Izraeli po përballet me një armik “të dobësuar”. Hamasi ende nuk ka konfirmuar këto pretendime.
Faza e re e fushatës ushtarake nisi të premten mbrëma, me bombardime që ndërprenë linjat e komunikimit në Gazën e rrethuar, duke bërë që 2.3 milionë persona të mbesin pa kontakt me botën jashtë.
Ndërprerja e komunikimit dhe rrjedhimisht edhe e informacioneve nga Gaza ka bërë që ushtria në masë të madhe të kontrollojë narrativin gjatë fazës së re kyçe të luftimeve. Palestinezët janë të izoluar, duke u shpërngulur nga shtëpitë e tyre në strehimore, përderisa furnizimet me ushqim dhe ujë po mbarojnë. Energjia elektrike është ndërprerë nga Izraeli në fazën e mëhershme të luftës.
Sipas organizatave të ndihmës dhe shëndetësore, spitalet në Gazë janë buzë kolapsit. Mbi 1.4 milion persona janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe pothuajse gjysma janë strehuar në shkollat dhe strehimoret e Kombeve të Bashkuara. Agjencitë e ndihmës kanë thënë se ndihma e pakët që Izraeli lejoi të hynte në Gazë nga Egjipit javën e kaluar, përbën një pjesë të vogël të nevojave.
Agjencitë shëndetësore ndërkombëtare dhe grupet e tjera të ndihmës thanë të shtunën se kanë humbur kontaktin me ekipet e tyre në Gazë, pas ndërprerjes së linjave të komunikimit.
Sulmet e intensifikuara ajrore dhe fushata tokësore po ashtu ka rritur shqetësimet lidhur me sigurinë e dhjetëra pengjeve që u morën nga Izraeli dhe u dërguan në Gazë më 7 tetor. Hagari tha të shtunën se numri i pengjeve të konfirmuara tani është 229, pasi katër pengje u liruan ditëve të fundit me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Katarit.
Ai hodhi poshtë raportimet e mediave për një marrëveshje të mundshme të armëpushimit në këmbim të lirimit të pengjeve. Një sugjerim të tillë ai e cilësoi si “shfrytëzim cinik” nga Hamasi të ankthit të familjarëve të pengjeve.
Familjarët e pengjeve të shtunën kërkuan një takim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për shkak të shqetësimeve për fatin e më të dashurve të tyre.
Ndërkaq, lidhur me operacionin në Gazë, ushtria izraelite tha se po shënjestron luftëtarët e Hamasit dhe infrastrukturën e tyre, duke shtuar se militantët operojnë në mesin e civilëve, duke i vënë ata në rrezik.
Që kur nisi dhuna më 7 tetor, mbi 7.300 palestinezë janë vrarë – mbi 60 për qind e tyre janë minoren dhe gra.
Ndërkaq, mbi 1.400 izraelitë u vranë nga Hamasi më 7 tetor, tha ushtria Izraelite. Në mesin e të vrarëve, sipas ushtrisë, janë të paktën 311 ushtarë./REL