Izraeli mohon pretendimin e OKB-së se Gazës po i mbaron karburanti

E publikuar: 26/10/2023 10:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë mohuar pretendimin e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë (UNRWA) se karburanti do të mbarojë së shpejti në Rripin e Gazës.

“Me sa di unë, ka ende energji elektrike në Rripin e Gazës. Dhe ky raport është pak i diskutueshëm”, tha zëdhënësi i IDF-së, nënkoloneli Jonathan Conricus në një konferencë për media, duke iu referuar një raporti të UNRWA nga 16 tetori, shkruan BBC.

“Ne iu përgjigjëm pretendimit të UNRWA-s duke i referuar ata se ku Hamasi – i cili qeveris Rripin e Gazës – e ka burimin e karburantit, si karburant dizel dhe lloje të tjera. Është e gjitha brenda Rripit të Gazës”.

“Ka mjaftueshëm për shumë ditë që spitalet dhe pompat e ujit të funksionojnë. Vetëm prioritetet janë të ndryshme. Hamasi preferon të ketë të gjithë karburantin për aftësitë e tij luftarake, duke i lënë civilët pa të”, shtoi ai.

Spitalet në Gaza po merren vetëm me raste urgjente për shkak të frikës se furnizimet me karburant mund të mbarojnë në orët e ardhshme, sipas OKB-së.

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr Richard Peeperkorn, tha më herët për BBC se spitalet e mbështetura nga OKB-ja po përdornin gjeneratorë “në nivele minimale vetëm për operacione që shpëtojnë jetë”.