
Izraeli ka intensifikuar operacionet ushtarake në veri dhe jug të Rripit të Gazës. Në qytetin jugor të Khan Younis, trupat izraelite përparuan drejt Spitalit Evropian dhe shkatërruan murin e pasmë të qendrës mjekësore.
Ndërkohë, Ministria Palestineze e Shëndetësisë tha se ushtria izraelite bombardoi të vetmen qendër të mbetur të dializës në veri Gazën, Qendrën e Dializës së Veshkave Noura al-Kaabi, e cila është pjesë e Spitalit Indonezian në Beit Lahiya.
Ministria ka thënë më parë se mbi 40% e pacientëve me dështim të veshkave kanë vdekur që nga fillimi i luftës më shumë se 19-mujore për shkak të mungesës së qasjes në trajtim të duhur dhe shkatërrimit të qendrave, raporton euronews.
Shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, tha se zgjerimi i operacioneve tokësore do të vazhdojë derisa të lirohen pengjet e mbetura të mbajtura nga Hamasi dhe të mposhtet grupi.
Të dielën, Hamasi lëshoi një deklaratë për shtyp duke deklaruar se janë gati të fillojnë menjëherë negociata indirekte mbi armëpushimin në Gaza.
Grupi militant tha se objektivi i bisedimeve do të ishte t’i jepej fund “katastrofës humanitare” në Gaza, të sigurohej ofrimi i ndihmës për popullin palestinez dhe të arrihej një armëpushim i përhershëm i shoqëruar me tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës.
Izraeli ende nuk i është përgjigjur deklaratës së Hamasit.
Të hënën, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, përsëriti nevojën urgjente për një armëpushim, ofrimin e menjëhershëm të ndihmës humanitare për palestinezët në Gaza dhe lirimin e pengjeve.