Kreu i Iniciativës Qytetare Serbe SPD, Oliver Ivanoviq, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar marrëveshjen e lidhur në Bruksel në mes Prishtinës dhe Beogradit për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, tregon se Prishtina zyrtare e pati të vështirë ta pranojë dështimin në UNESCO.
Ivanoviq ka thënë për Tanjug se dështimi për t’iu bashkuar Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, i ka goditur rëndë strukturat dhe institucionet tashmë të brishta në Prishtinë, dhe kjo është edhe një arsye për ta vonuar zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin e Komunave Serbe, transmeton Klan Kosova.
“Marrëveshja e Brukselit është një detyrim ligjor dhe do të duhej të kishte pasur zbatim. Nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese jepet si negativ sa i përket përputhshmërisë së Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë me Kushtetutën e Kosovës, kjo do të shkaktonte një reagim të mprehtë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Ivanoviq.