Kur bëhet fjalë për ide të pazakonta dhe mënyra festive, italianët janë ndër të parët.
Qytetarët e Romës, kanë sfiduar të ftohtin dhe nuk e kanë ndalur traditën e tyre të përvitshme, atë të hedhjes në ujërat e lumit Tiber nga ura Cavour.
Për të nisur vitin 2019, një grup italianësh kanë ndjekur traditën, duke kërcyer nga ura drejt ujit të akullt.
Kjo traditë daton që nga viti 1946, nga një roje plazhi i quajtur Rick Sonay, me oigjinë italo-belge, në atë kohë papunë i cili po përpiqej të manifestonte aftësitë e tij duke u hedhur nga ura.
Zhytja tradicionale zhvillohet prej të dekadash në datën 1 janar të çdo viti e madje, është një nga atraksionet e fillim-vitit për turistët e huaj.
Turma e njerëzve pushtoi urën Kavur të Romës, dhe më pas u hodh në ujë nga lartësia e 17 metrave.
Disa prej aventurierëve, tentuan të bënin edhe stile gjatë zhytjes.
“Ky është viti i 31-të i zhytjeve të tilla këtu në Romë. Kushtet janë të mira, uji është pak i ftohtë, por jam gati të hidhem me kokë në këtë zhytje”, u shpreh një notues.
Ndërsa për notuesit kishte rëndësi vetëm gara, pjesa tjetër, ajo e shikuesve, nuk guxoi ta zbulonte fytyrën nga shalli, apo duart nga dorezat. Temperaturat ishin në minus, përcjell Shqiptarja.
“Ka tre vjet që vij të shikoj këtë manifestim, është diçka vërtet e mirë. Janë gjëra që duhen ruajtur si kujtime të vyera se çfarë ndodh nëpër botë”, tha një vizitor.
Në garë mori pjesë edhe notuesi i famshëm italian Xhuzepe Palmuli, i thirrur me pseudonimin ‘Mr OK’ i cili u kthye sërish këtë vit, me mesazhin drejtuar liderëve botërorë, që të bëjnë më shumë për të ndihmuar njerëzit që vuajnë krizat e luftës dhe varfërisë.
Jo vetëm kaq, por ai nënvizoi se vitin 2018 ka ndodhur ngjarje e tmerrshme në këtë vend, duke përmendur tragjedinë e një nënë që u hodh nga ura bashkë me dy binjaket e saj duke u vetëvrarë.
“Lëshimin nga ura ia dedikoj djalit tim me aftësi të kufizuara që është në moshën 32-vjeçare dhe që prej pak kohësh ka kryer një operacion si dhe gjithë qytetarëve të Romës”, ka përfunduar ai.