Italia e ka mposhtur Anglinë në një ndeshje dramatike me penallti 3:2 në finale të Euro 2020 të dielën vonë, për ta fituar titullin e dytë evropian në historinë e kombëtares së vet.
Gianluigi Donnarumma ishte heroi i Italisë pasi i priti tri prej pesë goditjeve të anglezëve para 66 mijë tifozëve në Wembley, për ta kthyer titullin evropian në Itali pas plot 53 viteve, raporton Gazeta Express.
Donnarumma i priti penalltitë e Jadon Sancho dhe Bukayo Saka, ndërsa Marcus Rashford e goditi shtyllën pingule. Ndërkohë, te Italia shënuan Domenico Berardi, Leonardo Bonucci dhe Federico Bernardeschi. Jorginho dhe Andrea Belotti dështuan.
Italia është e pamposhtur në 34 ndeshje, 27 fitore dhe 7 barazime – disfata e saj e fundit ishte në shtator 2018 (kundër Portugalisë).
Tre luanët ngelën zemërthyer në tokën e tyre, pasi e kishin arritur finalen e parë në një turne të madh pas 55 viteve pritje dhe ishin në kërkim të titullit të parë evropian.
Skuadra e Gareth Southgate pati një fillim ëndrrash pasi kaloi në epërsi pas vetëm dy minutave lojë, kur Luke Shaw shënoi për 1:0 pas një superharkimi nga Kieran Trippier, duke e elektrizuar tërë stadiumin.
Italia e Roberto Mancinit nuk arriti t’i gjejë këmbët pothuajse tërë pjesën e parë, pasi u mbizotërua plotësisht nga anglezët.
Të kaltrit u futën me një qasje tjetër në pjesën e dytë dhe zëvendësimet e hershme të Mancinit e ndryshuan rrjedhën e lojës. Mancini e nxori nga loja Nicolo Barellën për Bryan Cristanten dhe Ciro Immobilen për Domenico Berardin.
Skuadra e tij e mori lojën në dorë dhe ishte e gjitha mbi Anglinë.
Leonardo Bonucci e barazoi rezultatin në 1:1 për ta shukatur Wembley-n në minutën e 67-të. Ai e futi topin në rrjetë nga afërsia pas një tollovie në mbrojtjen angleze.
Italia e vazhdoi mbizotërimin deri në përfundim të 90 minutave lojë. Në kohën shtesë, Anglia e theu dominimin italian dhe në fushë u pa lojë më e barabartë.
Donnarumma, i cili pritet t’i bashkohet Paris Saint-Germainit si lojtar i lirë së shpejti, ishte heroi i Italisë duke i pritur tri prej pesë penalltive të anglezëve.
Trofeu evropian do të kthehet në Romë pas 53 viteve. /Gazeta Express/