Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, thotë se për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm, kontrata me Z-Mobile nuk do të vazhdohet tutje sipas kushteve të cilat kanë ekzistuar deri më tani.
Kjo, siç shkruan si, vjen bazuar në konstatimet financiare të ekipeve ndërkombëtare të ekspertëve financiarë dhe të ekipit të ekspertëve ligjor.
“Ky njoftim i mosvazhdimit të kësaj kontrate, i është adresuar edhe vetë partnerit të Telekomit (Z Mobile), ashtu siç e parasheh edhe kjo marrëveshje”, shkruan ndër tjera ai.
“Strukturat menaxhuese të Telekomit të Kosovës kanë obligimin ligjor që në secilën situatë të veprojnë në përputhje të obligimit ligjor të mbrojtjes së interesit të kompanisë sonë. Për më tepër, Menaxhmenti Ekzekutiv dhe Kryeshefi Ekzekutiv kanë obligime edhe në raport me të punësuarit e Telekomit. Në këtë drejtim, të hënën gjatë protestës së Sindikatës së Punëtorëve kam informuar punëtorët se unë si Kryeshef Ekzekutiv do të jem në mbështjetje të plotë të veprimeve dhe vendimeve me të cilat mbrohen interesat e kompanisë sonë. Siç dihet çdo partneritet bëhet për përfitime dypalëshe dhe të tilla do të duhej të ishin të gjitha kontratat që kemi me operatorë të ndryshëm. Në frymën e saj, është edhe qëndrimi unanim i Bordit, Menaxhmentit Ekzekutiv dhe i vetë Sindikatës se të gjitha raportet kontraktore me partnerë, pa paragjykuar asnjë prej tyre, do të bëhen dhe vlerësohen sipas parimit të përfitimit të dyanshëm”, shkruan istrefi në Facebook.
Ai këtu jep edhe arsyen se pse s’do të vazhdohet kontrata me kushtet siç kanë ekzistuar deri tash.
“Për hir të informimit të drejtë dhe transparencës maksimale dhe për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm, më duhet të theksoj se kontrata me Z Mobile nuk do të vazhdohet tutje sipas kushteve të cilat kanë ekzistuar deri më tani, kjo bazuar në konstatimet financiare të ekipeve ndërkombëtare të ekspertëve financiarë dhe të ekipit të ekspertëve ligjor. Ky njoftim i mosvazhdimit të kësaj kontrate, i është adresuar edhe vetë partnerit të Telekomit (Z Mobile), ashtu siç e parasheh edhe kjo marrëveshje. Edhe një herë dua të potencoj se në çdo kohë do të jem përgjegjës për veprimet e mia lidhur me këtë çështje, natyrisht duke qenë në koordinim të plotë me Bordin e Drejtorëve dhe MZHE-në, në mënyrë që çfarëdo veprimi apo edhe vendimi të ketë bazë ligjore dhe të sjellë dobi për kompaninë tonë”, ka përfunduar ai.