Ahmet Ismaili-BQK
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, tha se vendimi i BQK-së e cila e përjashton dinarin si valutë për kryerje të transaksioneve në Kosovë, nuk mund të shtyhet dhe si i tillë vendime të tilla duhet zbatuar.
Ai ka deklaruar se pozicioni i institucionit që ai e udhëheq nuk është politike dhe se rregullat që vendosen duhen zbatuar. Ismaili ka përmendur edhe bankën serbe që është afër mbylljen, “Komercjalna Banka”, për të cilën tha se është përdorur për transport të këtyre mjeteve.
Ismaili i ka mohuar deklarimet se dinari ka qenë e ndaluar prej kohësh.
“Pozita e BQK-së nuk është politike. Ne vendosim rregulla dhe ato duhet zbatuar. Nëse për zbatimin e rregullave duhet një kohë e arsyeshëm, është çështje që për neve këto janë rregulluar. Bile deri dje, se ka plot lloj deklarimesh që thonë se ka qenë e rregulluar, deri në fund të janarit kanë mund të hynë mjete transportues në Kosovë me bo kesh dhe si ta shtin në Kosovë ta dërgojë ku ka dashtë. Për fatin e keq edhe Banka që ka qenë e licencuar ‘Komercjalna Banka’, e që tash është në proces të përmbylljes, është përdorur si arsyeje për transport por në të vërtetë në bazë të të dhënave që ka deklaruar në BQK, nuk përputhen me volumin e transaksionit që ka deklaruar. Që i bie qe BQK nuk ka arritur ta shikojë në mënyrë efektive edhe operimin e vet bankës që ka operuar në atë kohë”, tha ai.
I pyetur nëse do të shtyhet ky vendim, ai tha se e njëjta mund të ketë një tranzicion, derisa shtoi se qytetarët serb janë të mirëseardhur t’i bashkëngjiten sistemit financiar të Kosovës.
“Qysh me shty, çka me shty, a i bjen që me shty që të thuhet që prej nesërmit mund të hyjë një automjet pa rregull, i palicensuar, kush mund ta marrë këtë përgjegjësi, a është dikush prej BQK-së që mund ta presë këtë. Kjo mund ta ketë një kohë tranzicionit dhe ne nuk po merremi individualisht me qytetarët serb. Ata janë të mirëseardhur e mirëpritur t’i bashkëngjitën sistemit financiar të Kosovës”, tha Ismaili.