Në parashikimet se cili do të jetë shteti i radhës që do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, bastin mendojnë se e fitojnë ata që e përmendin emrin e Malit të Zi, duke marrë parasysh se është duke negociuar me vite dhe ka avancuar më shumë se të gjitha vendet tjera kandidate.
Të tjerët pozicionohen nga Shqipëria, e cila është duke ecur me hapa të shpejtë drejt Brukselit.
Disa tjerë mendojnë se do të jetë Moldavia – shtet ambicioz dhe i orientuar nga reformat.
Mirëpo, përgjigjja e saktë mund të jetë Islanda, shkruan Evropa e Lirë.
Synimet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump për ta aneksuar territorin danez të Grenlandës, dhe ideja e një lufte tregtare mes garantueseve të sigurisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe partneres më të madhe tregtare, BE-së, kanë krijuar shqetësim në këtë ishull në veri të Atlantikut.
Qeveria aktuale e Islandës, e cila ka ardhur në pushtet vitin e kaluar, ka bërë të ditur se do të mbahet një referendum para vitit 2027 për rinisje të bisedimeve me Brukselin për anëtarësim në BE.
Sondazhet sugjerojnë se shumica do ta mbështeste rinisjen e bisedimeve.
Dhe kjo nuk është hera e parë që Islanda është në këtë pozitë.
Ky shtet ishte goditur ashpër nga kriza globale financiare më 2008, kur tri banka të mëdha i kanë falimentuar.
Anëtarësimi në BE – sidomos në Eurozonë – ishte konsideruar si një mënyrë për shmangie të krizës dhe negociatat me bllokun evropian patën nisur më 2010.
Bisedimet ishin pezulluar tre vjet më vonë nga një qeveri e sapozgjedhur e krahut të djathtë. Atëbotë, edhe vendet e Eurozonës kanë qenë në gjendje të rëndë nga kriza financiare, prandaj anëtarësimi në këtë grup, dhe miratimi i valutës së përbashkët, nuk ishte parë si hap shpëtues.
Përgjatë atyre tre vjetëve të bisedimeve për anëtarësim, Reikjaviku i ka hapur shumicën e 33 kapitujve dhe i ka mbyllur 11 sosh.
Për krahasim, Mali i Zi – në krye të vendeve që synojnë BE-në – ka arritur t’i mbyllë shtatë kapituj më tepër pas më shumë se një dekade të negociatave.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, takohet me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në Podgoricë, 14 maj.
“Vendim sovran”
Kur zyrtarët e BE-së besojnë se Islanda do të mund ta përfundonte brenda pak vjetësh procesin e anëtarësimit – i cili është ende valid – ata nuk ka flasin pa bazë.
Këtij shteti i ndihmon fakti se është pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane, çka do të thotë se bashkë me Norvegjinë dhe Lihtenshtajnin veçse i zbatojnë rregullat e tregut të brendshëm të bllokut evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e ka vizituar këtë vend javën e kaluar dhe e ka qartësuar shpejt se anëtarësimi eventual në të ardhmen është “vendim sovran që e marrin njerëzit këtu”.
“Nuk është temë që unë duhet ta komentoj”, është shprehur ajo.
Megjithatë, ajo ka shtuar se “Islanda është e familjarizuar dhe e integruar në tregun e BE-së, dy palët kanë vlera të njëjta, njihemi me njëri-tjetrin shumë mirë, dhe e kemi të njëjtën mendësi – e gjithë kjo është vlerë e shtuar”.
Duke folur në kushte anonimiteti, një diplomat evropian i familjarizuar me këto zhvillime, ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë.
“Do të ishte mirë që një shtet i Evropës Perëndimore të anëtarësohej në BE, sidomos pas Brexitit”, ka thënë ai.
“Kjo do të tregonte se klubi është ende atraktiv”.
Procesi i integrimit do të zhvillohej lehtësisht, duke marrë parasysh se Islanda është më e pasur sesa mesatarja e BE-së, dhe me një popullsi prej 300.000 banorëve, ky do të ishte shteti më i vogël në BE, nëse anëtarësohet.


















