ISIS, Nishani: Në këtë situatë kërcënuese, edhe Shqipëria ka përgjegjësitë e veta

E publikuar: 21/11/2015 23:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një ndërtesë të vendosur nën masa të rrepta sigurie, në orën 19 të mbrëmjes zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar që janë pjesë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ngjitën shkallët e Presidencës, për një takim të kërkuar nga presidenti Bujar Nishani mbi masat kundër terrorizmit.

I thirrur pas klimës alarmante të përhapur në Evropë pas sulmeve terroriste të një jave më parë në Francë, edhe raportimi i anëtarëve të Këshillit të Sigurisë u krye për sigurinë në vend dhe masat e ndërmarra nga institucionet, si dhe për të diskutuar se në çfarë niveli duhet klasifikuar rreziku për ndonjë sulm terrorist të mundshëm në vendin tonë.

Në takim, përveç kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, ishin edhe ministri i Brendshëm, kreu i shërbimit sekret e po ashtu ministri i Jashtëm, ai i Financave, ai i Energjitikës, i Transporteve dhe ai i Drejtësisë, nën varësi të të cilit janë edhe burgjet në vend.

Nuk kanë munguar edhe zyrtarë që janë të lidhur direkt me masat e sigurisë dhe përpilimin e tyre, si drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Përmes një njoftimi të shpërndarë në orët e vona të mbrëmjes, zyra e shtypit pranë Presidencës hodhi dritë mbi këtë takim.

Në njoftim thuhet se, kreu i shtetit, njëkohësisht komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, pasi vuri në dukje dimensionin politik e ideologjik të kësaj lufte të re, theksoi se, “në këtë situatë kërcënuese edhe Shqipëria, si anëtare e NATO-s, si vend kandidat për në BE dhe si aleate në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit ka detyrimet e përgjegjësitë e veta”.

“Presidenti vlerësoi masat e marra si dhe angazhimet shumë serioze të agjencive ligjzbatuese për të bashkërenduar veprimet konkrete edhe me partnerët në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar”, thotë njoftimi.

Kreu i Shtetit, vijon dokumenti zyrtar, vuri në dukje se në vijim të konkluzioneve të Këshillit Evropian për luftën kundër terrorizmit, “Shqipëria është plotësisht e angazhuar për kontrollin e kufijve në rast të ndryshimit të korridorit të fluksit të emigrantëve dhe për parandalimin e trafikimit të armëve, edhe në kuadër të platformave rajonale për këtë qëllim”.

Presidenti ka nënvizuar gjithashtu se, “në këtë lloj situate, institucionet duhet të lëshojnë mesazhe garancie e stabiliteti për të siguruar qytetarët se nuk ka vend për panik, se janë marrë masat e nevojshme parandaluese dhe se janë ngritur e janë plotësisht operacionale mekanizmat e reagimit dhe të përballjes me rrezikun e sulmeve të mundshme”.