Të paktën 11 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas një shpërthimi që ndodhi paraditen e sotme, në një fabrikë me fishekzjarre në shtetin qendror indian të Madhya Pradesh.
Forca të shumta të zjarrfikësve kanë shkuar në vendngjarje për të shuar flakët dhe për të gjetur të mbijetuarit që kishin mbetut nën rrënoja.
Një zyrtar lokal i tha agjencisë së lajmeve ANI se të paktën 174 njerëz u shpëtuan dhe shumë prej tyre u dërguan në spitale për ndihmën e parë. Banorët e lagjes Harda, ku ndodhet uzina, i thanë mediave indiane se në momentin e shpërthimit kujtuan se “ishte një tërmet i fortë”.
“Kur ndodhi shpërthimi, toka u drodh dhe biçikleta ime u drodh. Unë u rrëzova në tokë dhe gurët ranë mbi mua.” – i tha Mohammad Javed Ansari agjencisë ANI nga spitali ku u trajtua.
Çdo familje e të viktimave do të marrë kompensim prej 200,000 rupi (2,230 euro) nga qeveria federale e Indisë dhe një shtesë prej 400,000 rupi (4,460 euro) nga autoritetet e shtetit të Madhya Pradesh.