Ishte premtim i Kurtit, a do të krijohet Banka Zhvillimore në Kosovë?

E publikuar: 13/06/2021 23:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Albin Kurti e kishte premtuar krijimin e saj gjatë fushatës, opozita pesimiste për këtë projekt, BQK nuk dihet nëse do të lëshoj leje

Sa herë që vizitonte bizneset e bënte këtë premtim. Albin Kurti si kandidat për kryeministër, në kohë fushate i jepte shpresë bizneseve për një bankë të re në Kosovë.

Krahas fondit sovran, edhe banka zhvillimore ishte prioritet për Kurtin nëse vie në pushtet. Ndërsa, se çfarë funksioni do të kryente kjo bankë e tregonte vetë kur vizitonte bizneset. Bankën Zhvillimore, kryeministri e renditi edhe në listën e prioriteteve në programin qeverisës. Mirëpo, kur janë bërë afro 100 ditë që nga ardhja në pushtet, një temë e tillë nuk u përmend nga zyrtarët e Qeverisë.

E nga opozita po shprehen pesimistë sa i përket këtij projekti pasi thonë që nuk ka asnjë dokument që e shpjegon rrugën deri tek krijimi i saj. Sipas kryesuesit të Komisionit për Ekonomi, problem tjetër janë edhe fondet që të krijohet një institucion i tillë. Situata pandemike sipas Ferat Shalës mund të ketë ngadalësuar punën e Qeverisë në këtë aspekt. Ndërsa tregon që në javët në vijim do të diskutojnë me ministrat përkatës në komisionin parlamentar pikërisht për bankën zhvillimore.

Televizioni ka pyetur edhe në Bankën Qendrore të Kosovës se a do të lëshojnë leje për Bankën Zhvillimore, mirëpo të njëjtit nuk i janë përgjigjur interesimit të televizionit.