“Ishte mysafir në një restorant”, familjari thotë se Naser Gashin që vdiq nga plagët plumbat e kanë kapur aksidentalisht

E publikuar: 26/03/2025 11:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku si pasojë e disa të shtënave një person ka vdekur.

Vdekjen e viktimës,  i cili është Naser Gashi, rreth të 60-ave, e ka konfirmuar edhe mjeku kujdestar i Emergjencës në QKUK, Agron Çitaku, bëri të ditur se erdhi me plagë në gjoks dhe pothuajse pa shenja jete.

Rreth këtij rasti, shkurtimisht është deklaruar koloneli në pension i FSK-së, Afrim Veseli, me të cilin ky i fundit ka pasur edhe lidhje familjare.

Veseli në deklarimin e tij ka thënë se rasti ka ndodhur aksidentalisht.

I pyetur edhe për një postim të tij të bërë në lidhje me ngjarjen tragjike, ai ka thënë se postimi qëndron dhe se viktima s’ka pasur ‘‘kurrfarë lidhje’’ me rastin.

‘‘Aksidentalisht ka ndodh. Hiç kurrfarë lidhje s’ka’’, ka thënë ai.

Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës, nga ku janë dhënë detaje të reja.

‘‘Prishtinë 25.03.2025-22:25. Raportohet se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë dhe si pasojë njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa viktima tjetër gjendet në tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse policore. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion’’, është thënë nga Policia.

Po ashtu, deklarim është bërë edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ata kanë thënë se janë duke u ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore për vrasjen e djeshme në Prishtinë.

“Prokurori i shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me organet e Policisë janë duke ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore mbi këtë çështje”, është thënë nga ta.