Policia e Durrësit ka dalë me njoftim zyrtarë për ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e së enjtes ku nënkomisari Arben Pjeçi u vetëvra me armën e shërbimit brenda ambienteve të komisariatit.
Në njoftimin e policisë bëhet me dije se familjarët e nënkomisarit kishin njoftuar se kishin humbur kontaktet me njeriun e tyre. Pas veprimeve procedurale për kërkimin e tij, rreth orës 16:15, në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është hapur me forcë zyra e oficerit Policisë Gjyqësore, Arben Pjeçi, i cili është gjetur i vetëvrarë, me armën e shërbimit.
Punonjësi i Policisë Arben Pjeçi, 57 vjeç është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundërvajtjen penale “Plagosje e lehtë”, në bazë të nenit 89 të Kodit Penal. Vendimi i Gjykatës i formës së prerë ka filluar të ekzekutohet nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit të Provës dhe Policisë së Shtetit.
“Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës. Për këtë ngjarje është krijuar një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë. Për këtë ngjarje është njoftuar dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Në lidhje me rrethanat dhe për sqarimin përfundimtar të motivit, do të kemi njoftim shterues në përfundim të veprimeve hetimore paraprake”, bën me dije policia.