Ish-zyrtari i prokurimit në kuadër të sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Shaip Gashi, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare”.
Në seancën fillestare, të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Naim Abazi, i akuzuari Gashi, ka thënë se nuk e pranon fajësinë për veprën me të cilën ngarkohet.
Më pas, gjykatësi Vesel Ismajli, e njoftoi të akuzuarin se ka të drejtë që në afat prej 30 ditësh të paraqes kundërshtimin e tij lidhur me aktakuzën dhe provat.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 11 korrik, në orën 8:30.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë më 13 qershor 2016 ndaj Shaip Gashit me pretendimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “shpërdorim i pozitës apo autorizimit”, nga neni 422, paragrafi 1 i KPRK-së.
Në bazë të aktakuzës, Gashi më 29 tetor 2009, në cilësinë e zyrtarit të prokurimit në kuadër të sekretariatit të KGJK-së, me qëllim që t’i sjell vetes apo dikujt tjetër dobi pasurore kishte keqpërdorur pozitën e tij.
Gashi pretendohet se kishte nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik “Autoteknik Baholli” edhe pse ky operator nuk ka qenë i përgjegjshëm pasi që në ritenderim ishte kërkuar vetura me fuqi motorike “77-85 kf”, ndërsa tenderi i është dhënë kompanisë “Baholli”, i cili kishte ofruar vetura me fuqi prej “74-100 kf”.
Sipas aktakuzës, Gashi kishte vepruar në kundërshtim me mendimin e ekspertit Agim Fejzullahu me ç‘rast i kishte mundësuar operatorit “Baholli” të përfitonte në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 223.222 euro./Betimiperdrejtesi/


















