Ish-shefi i AKK’së: Kryeministri e rriti pagën për interesa private, kjo është vepër penale

E publikuar: 30/01/2018 17:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk po e përfill opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila të hënën e shpalli të jashtëligjshëm vendimin e shefit të Qeverisë për rritjen e pagës vetvetes dhe vartësve të tij, të marr me 20 dhjetor 2017. Por, ish shefi i Anti-kurrusionit Hasan Preteni, në një intervistë për Gazetën Express ka deklaruar se ky vendim i Kryeministrit jo vetëm që është i kundërligjshëm por edhe përbën vepër penale e cila do të duhej hetuar nga Prokuroria. Por, sipas tij këta të fundit po heshtin pasi me këtë vendim u është rritur paga edhe atyre qind për qind.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit të kaluar e kishte pritur në zyrën e tij drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havollin, të cilit i kishte përmendur si sfidë moszbatueshmerinë e ligjeve si dhe korrupsionin e lartë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë që ai e drejton për ndryshim rrënjësor të kësaj gjendjeje.

Por, dy muaj më pas kryeministri po shpërfill një mendim të kësaj agjencie, e cila e shpalli të kundërligjshëm vendimin e tij për rritjen e pagës për vetën dhe vartësit e tij.

AKK të hënën ka konstatuar se “konflikti i interesit është shkaktuar vetëm për zyrtarët e lartë që kanë qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes”.

Pak orë më vonë zyra e Kryeministrit tha se ky opinion i Agjencisë kundër korrupsionit është më tepër udhëzues, dhe se nuk do të tërhiqen nga vendimi i 20 dhjetorit për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar.

Vetë këshilltari i kryeministrit, Halil Matoshi ka hedh dyshime mbi motivet e AKK-së për këtë vendim duke thënë se ai mund të jetë i ndikuar.

Por të njëjtin mendim me Agjencinë Kundër Korrupsionit e ndan ish-udhëheqësi i këtij institucioni, Hasan Preteni.

Preteni thotë se vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave vetvetes jo vetëm që është i kundërligjshëm, por përbën edhe vepër penale e cila do të duhej hetuar nga Prokuroria e Kosovës. Por ai ka thënë se kjo i bie që ata të ndërmarrin masa edhe kundër vetvetes, pasi vendimi i kryeministrit për rritje të pagave, ua ka rritur atomatishikisht pagat edhe sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

“Mos të harrojmë se nga 1.Janari 2013 në Kodin Penal te Kosovës “konflikti i interesit “është vepër penale. Për mua ky vendim po ndikon negativisht edhe ne disa rrjedha tjera, po bënë dëme tjera që kanë të bëjnë me rritjen e pagave në sektorin e Drejtësisë, pra dëmi dhe ndikimi negativ po vazhdon, këtu ka elemente të veprës penale, por pse nuk reagojnë prokuroret kjo është e “kuptueshme’ nuk dëshirojnë te marrin masa kundër vetvetes, hipokrizi”, ka thënë Preteni.

Ai ka thënë se opinioni i AKK duhet të jetë i qartë dhe duhet zbatuar komfor masave ligjore që i përcakton Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Pika 2 e Nenit 21 të këtij ligji, i cili rregullon mos përjashtimin e përgjegjësive ligjore thotë se “Çdoherë kur agjencia ka dyshim te arsyeshëm, se me shkeljen e dispozitave te këtij ligji, ka elemente te ndonjë vepre penale, detyrohet qe të paraqes kallëzimin penal në prokurorinë kompetente”.

Preteni ka sqaruar përse ky vendim është i kundërligjshëm dhe përbën konflikt interesi.

“Po, vendimi i kryeministrit për të ngritur pagën personale shkel parimet e veprimeve te mira, është konflikt interesi. Marrja e vendimeve për interesa private është Konflikt Interesi. Zyrtari i lartë ka për obligim të mbroj interesin publik nuk ka të drejtë që interesin privat ta vërë para atij publik. Nuk mund të realizohet një vendim kur emri i nënshkruesit të atij vendimi është edhe në mesin e atyre që përfitojnë me atë vendim. Kryeministri -zyrtari i lartë duhet të mbroj interesin e të gjithëve duhet të siguroj se duhet të fitojnë te gjithë ( interesi publik) dhe jo privat. Për pagën e kryeministrit duhet të vendos-nënshkruaj dikush tjetër jo ai vet”, ka deklaruar Preteni.

Por, ai e ka pranuar se arsyetimi i opinionit të AKK-së ka qenë i paqartë, dhe se ai do të duhej të ishte më i fuqishëm.

“Vendimin e AKK-se e vlerësoj si të drejtë edhe pse kam shumë dilema te pjesa e arsyetimit, te kjo pjesë disi tentohet që të zmbrapset nga vendimi, tentohet që vet opinioni të zbehet, krijohet përshtypja se “Po është Konflikt “por jo aq i fuqishëm dhe se mund të korrigjohet”. Po humbet fuqia e Opinionit, është një kalkulim i pajustifikueshëm, pse kjo dilemë-frikë? Një situatë është apo nuk është konflikt, e nuk bën edhe është edhe nuk është.( as mish e as peshk)”, deklaroi Preteni.

Ai ka thënë se vendimet e tilla të Qeverisë ndikojnë në perceptimin e përgjithshëm të publikut te besueshmëria tek institucionet e vendit, duke thënë se duhet të merren vendime qe e rrisin besimin e qytetareve tek institucionet.

Me 20 dhjetor Kryeministri i Kosovës përmes një vendimi ia dyfishoi pagën vetes dhe ministrave të kabinetit të tij. Derisa paga e kryeministrit ka qenë rreth 1500 euro, përmes këtij vendimi ai ia bëri vetës pagën 2950 euro. Po ashtu, paga e zëvendëskryeministrave u bë 2500 euro, derisa e ministrave 2000 euro.

Ky vendim i Kryeministrit është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese nga ana e deputetëve të opozitës. B.G/ Gazeta Express/