Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike ka intervistuar ish-ministrin e Ekonomisë, Ahmet Shala.
Ky i fundit, dëshminë e tij e dha përmes platformës ZOOM, pasi që gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryetari i këtij Komisioni, Hajdar Beqa, pyeti Shalën për shitblerje, rënien e blloqeve dhe caktimin e çmimeve të energjisë.
“Në kohën sa keni qenë ministër i Ekonomisë, cila ka qenë kompetenca juaj në shitblerjen e energjisë, në rënien e blloqeve dhe në caktimin e çmimit të energjisë”, pyeti Beqa.
E vetë Ahmet Shala tha se për asnjërën prej këtyre nuk ishte kompetentë dikasteri që ai e drejtonte.
“Në kuadër të Ligjit për ndërmarrje publike bëhet ndarja e përgjegjësisë dhe në kuadër të saj Ministria e Ekonomisë në këtë rrafsh. Shitblerja ka të bëjë me përgjegjësitë e korporatës, këtë rast të KEK-ut, rënia e blloqeve poashtu ishte në kompetencë të KEK-ut, ndërsa çmimet dihet që ishin në kompetencë të këshillit”, u shpreh Shala.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, pyeti ish-ministrin Shala për shpronësimin e fshatit Hade, për të cilin kishte ngritur dyshime për vonesat në implementimin e këtij projekti.
Por për këtë nuk e pati në memorie Ahmet Shala.
“Të them drejtën për aq sa më kujtohet se shpronësimi i fshatit Hade ka filluar shumë herët në vitit 2004, dhe për aq sa di ka pasur shqetësime për ngadalësimin e atij projekti dhe vonesat e tilla nuk ka pasur mundësi të arsyetohen, ndërsa për detaje nuk më kujtohet”, tha Shala.
Ai tha se nuk ka pasur asnjë informacion për asnjë transaksion të blerjes së energjisë elektrike, por theksoi se vazhdimisht ka kërkuar gjenerim të sigurt, raporton EO.
Bajqinovci e pyeti edhe për blerjen e energjisë nga dy kompanitë serbe. Por as për këto nuk pati shumë dijeni.
“Të them të drejtën për kompanitë dhe personat në fjalë i kam dëgjuar para pesë apo gjashtë vitesh. Më herët kurrë nuk kam dëgjuar dhe sot me i pa nuk i njoh”, u përgjigj Shala.