Serbët lokalë edhe sot janë mbledhur në tri komunat në veri, në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, për të vazhduar protestën.
Ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, Sërgjan Millosavleviq ka thënë para protestuesve se kërkesat e tyre mbeten të njëjta.
Ata po kërkojnë largimin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës nga veriu si dhe të kryetarëve të rinj shqiptarë.
“Kërkesat janë të njëjta, të tërhiqet policia, të mos vinë kryetarët e rinj dhe të lirohen dy protestuesit e arrestuar të hënën në Zveçan”, tha Millosavleviq.
Ai u ka bërë thirrje protestueseve të rrinë të qetë sot. Protestuesit serbë në Zveçan kanë shpalosur edhe një flamur të Serbisë që raportohet se ishte i gjatë 250 metra.