Ish-kryetari i Komunës së Obiliqit, Mehmet Krasniqi, se bashku me 12 zyrtarë komunalë, janë duke u hetuar nën dyshime të bazuara për korrupsion në dy raste: për ndërtimin e Parkut dhe rasti i dytë për tenderët e ndërtimit të rrugëve në fshatin Breznicë.
Portali “Infokusi” ka arritur të sigurojë një dokument ku shkruan së hetimet janë zhvilluar nga NJHKEK në Prishtinë dhe dyshimet janë për dy raste. Për rastin e parë është iniciuar rast në polici me nr. 2014-KE-23 lidhur me ndërtimin e parkut rekreativ në Obiliq me nr. Prokurimi 61413021521.
Ndaj zyrtarëve komunal janë gjetur elemente të veprës penale dhe është ushtruar kallzim penal ndaj të dyshuarve, Haki Raqi, Zejnullah Krasniqi, Bajram Paloj dhe Ivana Spasiq.
Gjithashtu, për rastin e dytë lidhur me tenderin “Asfaltimi i rrugëve rurale” dhe vazhdimi i asfaltimit të rrugës së fshatit Breznicë, lagjja e Koskovitit dhe Kazaricës.
“Për këtë rast janë zhvilluar hetime me numër të rastit 2014-KE-117. Ndaj zyrtarëve komunal dhe të përfshirëve tjerë në rast për të cilën janë gjetur elemente të veprës penale është ushtruar kallcim penal ndaj të dyshuarave; Hasan Dushi, Xhavit Krasniqi, Haki Raqi, Nazmi Gashi, Ramadan Hashani, Bajram Paloja, Azem Spanca, Altin Preniqi dhe Mehmet Krasniqi”, shkruan në dokumentin të cilin e ka siguruar portali “Infokusi”.
Mehmet Krasniqi është ish-kryetari i Komunës së Obiliqit nga Lidhja Demokratike e Kosovës. /infokusi/