Pak orë pasi ish studentja e Ekonomikut të kryente vetëvrasjen, ajo kishte pirë një kafe me ish të dashurin e saj. Ky i fundit, para policisë ka pranuar se kishte pirë një kafe me Klean, pasi me të ruante miqësinë, por nuk e kishte menduar se ajo do të kryentë këtë akt.
Ish-i dashuri i studentes së Ekonomikut që i dha fund jetës duke u hedhur nga pjesa e brendshme e shkallëve nga kati 11 i pallatit, ka pranuar se ata ishin ndarë prej disa ditësh.
Djali ka thënë para policisë se vetëm tri orë para se të ndodhte ngjarja, kishte pirë kafe me Klean, në një lokal jo shumë larg vendit të ngjarjes. Ai ka treguar se ishte ndarë prej disa ditësh me të dhe të mërkurën ajo i ka telefonuar për të pirë një kafe, duke i kërkuar që të lidheshin sërish. Por ai nuk ka pranuar, shkruan “Panorama”.
“Edhe pse ishim ndarë, unë takohesha shpesh me Klean. E ruanim miqësinë, por unë nuk doja më tepër se miqësi edhe pse ajo këmbëngulte. Kur u ndava dje (të mërkurën) nga ajo, pasi dolëm nga kafja, nuk më dha përshtypjen se mund të bënte diçka të tillë. U trondita shumë kur e mora vesh dhe më vjen shumë keq për këtë”, është shprehur ish i dashuri i Kleas para oficerëve të Policisë në Komisariatin nr.2. /albeu.com/