Ish-gjyqtarja Safete Tolaj, e akuzuar për keqpërdorim të autoritetit zyrtare gjatë kohës sa ishte gjyqtare do të dal sot para gjykatës.
Në mars të këtij viti Gjykata e Apelit refuzoi kërkesën e ish-gjyqtares për hedhje poshtë të aktakuzës, ndërsa që nga atëherë nuk është zhvilluar ndonjë seancë tjetër e këtij procesi gjyqësor.
Aktakuza ndaj Tolajt dhe djalit të saj ishte ngritur pas transmetimit të Emisionit “Drejtësia në Kosovë”.
Në fund të muajit janar, KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me refuzimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt të kërkesës së mbrojtjes për hedhje të aktakuzës në këtë rast gjyqësor. Por, mbrojtja e Safete Tolajt, kishte ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi për refuzim të hedhjes së aktakuzës në Gjykatën e Apelit.
Gjykimi ndaj ish-gjyqtares Safete Tolaj mori kthesë pasi që gjyqtari i çështjes Agim Maliqi është dekretuar së fundi si gjyqtar i Gjykatës Supreme.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar gjyqtarin Ibrahim Idrizin si gjyqtar të çështjes.
Sipas aktakuzës, e pandehura në Gjykatën Themelore në Pejë-Dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin përkatësisht për të pandehurin Fisnik Tolaj keqpërdori autoritetin zyrtar në atë mënyrë që, pasi ajo më 02.01.2017, e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik Tolaj dhe G.Sh. ishin takuar dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkaloi kompetencat e tij dhe i dha shumën prej 1.900 euro të pandehurit Fisnik Tolaj për të ndikuar tek e pandehura Safete Tolaj, e cila më pas më 10.01.2017 masën e paraburgimit e zëvendësoi me masën e dorëzanisë.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, e pandehura Tolaj deri më 13.01.2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e së njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj gjykate, e të cilat e kishin vendin në arkivin e gjykatës.
Tutje, në përshkrimin e aktakuzës thuhet se pandehura Safete Tolaj deri më 13.01.2017 në gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që, i pandehuri F.T. duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.
“Të lartcekurit me veprimet e tyre, kanë kryer veprat penale të përshkruara sikur më lart, për çka prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që të njëjtit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shtetit.


















