Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese: Shumë keq zonja presidente

E publikuar: 05/08/2025 22:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu ka reaguar pas tërheqjes së kërkesës nga presidentja Vjosa Osmani drejtuar Kushtetueses, duke pyetur se pse nuk ka reaguar më herët nëse ajo e ka ditur se gjykatësi Radomir Laban është kërcënim serioz për shtetin dhe rendin kushtetues.

Presidentja Osmani sot gjatë ditës në një konferencë për media, bëri të ditur se ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese sa i përket pasojave juridike për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, brenda afatit tridhjetëditor, duke thënë se tërheqja e kërkesës nuk e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj.

Osmani u arsyetua se ka tërhequr kërkesën për arsye se gjyqtar raportues është caktuar Radomir Laban dhe meqë i njëjti, sipas institucioneve të sigurisë, cenon sigurinë kombëtare.

Kurse, Kryeziu në reagimin e tij në Facebook, ka shkruar se Gjykata Kushtetuese është një kolegj prej nëntë gjyqtarësh, ndërkaq është shumë e rëndësishme t’i përkujtohet Presidentes Osmani se pika 2 e nenit 19 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese e përcakton qartë që “Gjykata Kushtetuese ka kuorum nëse janë të pranishëm shtatë gjyqtarë”.

Ai ka shtruar pyetje nëse Osmani para se ta thërriste konferencën për shtyp, e dinte që Gjykata Kushtetuese aktualisht i ka vetëm shtatë gjyqtarë.

“Çfarë do të thotë kjo? Nëse Gjykatësi Radomir Laban nesër vendos të mos dalë në punë, duke u arsyetuar që ndihet i rrezikuar pasi që Presidentja e Republikës e ka shpallur kërcënim për sigurinë e shtetit, Gjykata Kushtetuese kthehet në një shtëpi prej letre, pra zhvishet tërësisht nga zotësia juridike për të marrë vendime. Ju jeni në detyrë që nga viti 2021. Nëse e dinit që Gjykatësi Laban është kërcënim serioz për shtetin dhe rendin kushtetues, pse nuk u aktivizuat më herët? Pse nuk u angazhuat me partitë politike të përfaqësuara në legjislaturën e kaluar, t’ua shpjegonit atyre që siguria e Republikës është në rrezik dhe që duhet zgjedhur me çdo kusht dy gjykatës të tjerë për pozitat e lëna bosh në kolegjin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pas këtij veprimi, edhe sikur ta shkarkonit Labanin nuk do të bëhej ndonjë dëm. Në vend që të ushtronit autoritetin tuaj kushtetues dhe me kohë të vepronit në mbrojtje të Republikës, ju zgjodhët ta përdorni fuqinë e zyrës tuaj për të fituar sot vëmendje mediale. Ju sot zgjodhët ta sulmonit Gjykatën Kushtetuese, në ditët kritike para publikimit të vendimit të saj më të rëndësishëm. Pse zonja Presidente? Pse edhe ju u bëtë pjesë e atyre që punojnë natë e ditë për ta rrënuar besimin e qytetarëve në çdo institucion?”, ka shkruar ai, duke shtuar se është i zhgënjyer shumë.