Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka reaguar nëpërmes llogarisë së tij në Facebook për dënimin në mungesë të ish-eprorëve të UÇK-së që luftuan në Koshare.
Ai ka thënë se ushtarët e Brigadës 138 të UÇK-së, i kanë dhënë përgjigje të merituar forcave serbe, transmeton Koha.net.
“Erdhën të vrasin e të zhdukin njerëzit tanë nga tokat dhe shtëpitë e tyre dhe morën përgjigjen që e merituan nga ushtarët e Brigadës 138. të UÇK-së”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ai më tej ka thënë se komandantët e UÇK-së Rrustem Berisha e Anton Quni dhe pjesëtarë tjerë të kësaj brigade sot u dënuan në Beograd, që në fakt ata ishin dënuar nga Gjykata e Lartë e Nishit, se mbrojtën vendin e tyre.
Mustafa ka komentuar drejtësinë serbe.
“Kjo është edhe një farsë e “drejtësisë “ së Serbisë. Serbia duhet të gjykojë krimet dhe të dënoj kriminelët që vranë rreth 15 mijë qytetarë të pafajshëm të Kosovës. I vranë vetëm pse ishin shqiptarë”, ka shtuar kryeministri Mustafa.
Ushtarët dhe paramilitarët serb, sipas Mustafës, nuk erdhën në Kosovë me ftesë të Anton Qunit,e as Rrustem Berishës, deputetë të merituar të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ai përfundoi duke thënë se Serbia i mbron veprimet kriminale, vrasjet dhe masakrat në Kosovë.
“Gjykimi i luftëtarëve tanë nga gjykatat e një vendi fqinj, flet se akoma Serbia i mbron veprimet kriminale, vrasjet dhe masakrat në Kosovë dhe akterët e tyre.”