
Ish-deputeti i koalicionit boshnjak “Vakat”, dhe tashmë këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme për komunitete, Çerim Bajrami
Ish-deputeti i koalicionit boshnjak “Vakat”, dhe tashmë këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme për komunitete, Çerim Bajrami, ka thënë se komuniteti boshnjak po kërcënohet nëpër rrjete sociale.
Kjo situatë, ai thotë se ka ardhur pas deklaratës së deputetes Duda Balje për një komunë boshnjake në Kosovë.
“Po manipulohen, dhe rrezikojmë të jemi në rrezik edhe më të madh ndaj kërcënimeve publike, ndaj një komuniteti të vogël këtu, i cili me shekuj jeton këtu në Kosovë bashkë me shumicën shqiptare. Rrezikojmë këtë pozitën tonë kushtetuese dhe ligjore të cilën e kemi në Kosovë, pas luftës nënkuptohet, dhe pozitë e cila nuk është e keqe, por si çdo pozitë tjetër për komunitetet tjera, edhe për komunitetin tonë çdo ditë e më shumë kërkohet përmirësimi. Shumëçka nuk është implementuar në mënyrën e duhur”, deklaroi ish-deputeti Bajrami në Edicionin Special në Klan Kosova.
Ndër të tjera, ai tha se tash në kohën kur duhet të formohet qeveria e re, komuniteti boshnjak në Kosovë ka hyrë në një përplasje të pakuptueshme dhe të panevojshme në opinionin publik në Kosovë.
Ai thotë se nga ata që komentojnë nëpër rrjete sociale, nuk e kuptojnë çka është esenca e kërkesës së tyre. Sipas tij, deputetja e zgjedhur, Duda Balje, pa qëllim apo me, e ka prezantuar kërkesën e komunitetit boshnjak për një komunë të tyre, siç është komuna e Reçanës afër Prizrenit, në mënyrën jo të duhur.
Bajrami thotë se një kërkesë aq e rëndësishme për komunitetin boshnjak, “nuk duhet të prezantohet në atë mënyrë, në formë joserioze, duke thënë se ne do të kushtëzojmë” formimin e qeverisë “me këtë kusht, nëse nesër mund të del se nuk ka qenë kusht por ka qenë kërkesë a diçka tjetër”.
Ai thotë se në rrjete sociale, komuniteti boshnjak po kërcënohet vazhdimisht.
“Reagimet nga publiku për neve nuk janë të mira. Komentet janë kërcënuese për neve boshnjakët e Kosovës. Nuk kemi nevojë për këso komentesh, sidomos për në komunitet që ka kontribuuar bashkë me shqiptarët e Kosovës”, u shpreh Bajrami.
Ai tha se opinioni publik nuk është edhe aq i interesuar e as i informuar për të drejtat tona.
“Shumica nuk e dinë se çfarë probleme kemi, disa nuk e dinë as që kemi ne arsim në gjuhën boshnjake, dhe të krahasohemi me kërkesat e komunitetit serb në Kosovë, është totalisht e pakuptueshme dhe e papranueshme për ne”, theksoi ish-deputeti boshnjak, Bajrami. /Klankosova.tv