Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka thënë se Kosova duhet ta pranojë planin franko-gjerman dhe se kryeministri Albin Kurti duhet të pajtohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse Kosova nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen perëndimore.
Në një editorial për Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), pjesë të së cilit i ka sjellë DW në gjuhën serbe, Cufaj ka thënë se “Pas dy vitesh në pushtet duket se Kurti nuk ka asnjë ndryshim nga paraardhësi i tij. Shqiptarët nga Kosova po emigrojnë masivisht në Gjermani. Korrupsioni dhe nepotizmi ende mbretëron, partia menaxhon institucionet”.
Sipas mendimit të tij, presidenti serb Vuçiq e ka pranuar me druajtje planin franko-gjerman, ndërsa mesazhi i Kurtit – siç e kupton opinioni – është refuzimi i formimit të Asociacionit. Cufaj kujton se Kurti ende këmbëngul se një asociacion i tillë mund të ekzistojë vetëm në rast të njohjes së Kosovës nga Serbia.
“Kjo i bezdis partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht amerikanët dhe gjermanët. Pas dy vitesh në pushtet, Kurti do të duhet të heqë dorë nga të dyja premtimet parazgjedhore. Nuk ka pasur jetë më të mirë për qytetarët dhe Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të mund ta pengojë”, shkruan Cufaj.
Kishte biseda pafund dhe pak rezultate. Në tavolinën gjeopolitike po shfaqeshin kriza të reja. Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ishin një terren i favorshëm për shifra. Në njërën anë qëndronte Putini me ushtarin e tij besnik në Serbi, ish-ministrin e Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq. Në anën tjetër, Perëndimi me fëmijën rebel Kosovën. Kush kishte dorën e sipërme? Putin, sigurisht. Nëse do të flisnit për Kosovën dhe Serbinë me Angela Merkelin, biseda në fakt do të ishte për Putinin”, shkruan Cufaj në një editorial për të përjavshmen Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Sipas Cufajt, të gjithë u zgjuan kur Putini marshoi në Ukrainë.
“Papritmas Ballkani u bë sërish temë. Më herët në Bruksel ka pasur bisedime të pafundme dhe marrëveshje teknike mes Kosovës dhe Serbisë, 33 marrëveshje të nënshkruara që nuk janë zbatuar. Me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, gjithçka u bë e parëndësishme”.