Isa Mustafa reagon pas vdekjes së Haki Rugovës: Nuk u dorëzua para asnjë sfide

E publikuar: 09/03/2022 12:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-bashkëpartiakut të tij, Haki Rugova.

Mustafa, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, përmendi veprën e të ndjerit, derisa u shprehu ngushëllime familjes së ish-kryetarit të Istogut,.

“Hakiu ynë, punëtori i palodhshëm,i sinqertë, i formuar e besnik u largua për ta ndier përherë mungesën e tij. Për shumë vite mori besimin e istogasve për të drejtuar komunën e tyre. Ishte në krye të degës së LDK-së dhe nënkryetar LDK-së të Kosovës. Njeri i urtë, me mendim të thellë e të peshuar që përherë kërkonte rrugë të përbashkët por edhe i mbronte parimet, të cilat i ndërtoi dhe i ruajti me fanatizëm gjatë gjithë jetës së tij. Nuk u dorëzua asnjëherë para asnjë sfide. Ashtu siç nuk dorëzohen njerëzit e drejtë, të sakrificës, besnik e të fjalës”, shkroi Mustafa.

Vdekjen e Rugovës e ka konfirmuar për lajmi.net gjatë ditës zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.