Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar se vitin e kaluar Kosova shënoi rritje ekonomike prej 0.5 përqind “si rezultat i rritjes së prodhimit, fuqizimit të konsumit dhe rritjes së eksportit”, pasi që sipas tij në vitin 2020, për shkak të pandemisë “kishin stagnuar të gjitha aktivitetet ekonomike”.
“Vitin që e lamë pas, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 9.5% (sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar) përkatësisht 9.1 % (sipas Bankës Botërore). Kjo rritje erdhi si rezultat i rritjes së prodhimit, fuqizimit të konsumit dhe rritjes së eksportit, pasi që në vitin 2020, si pasojë e pandemisë kishin stagnuar të gjitha aktivitetet ekonomike dhe përfunduam me rritje negative ekonomike prej -5.5%. Në këtë aspekt krahasimet me vitin 2020 janë të natyrës formale, prandaj edhe nuk janë tregues i qëndrueshëm. Nga tregjet dhe ekonomitë në zhvillim në Evropë vitin e kaluar, Mali i Zi kishte rritjen më të madhe ekonomike prej 13% (sipas FMN-së) përkatësisht 12.4% (sipas BB) pasuar nga Kroacia prej 10.2%. Por sikurse Mali i Zi ashtu edhe Kroacia kishin pësuar rënie të madhe ekonomike në kohë të pandemisë (2020)”, ka shkruar ai, transmeton Klankosova.tv.
Sipas ish-kryetarit të LDK-së, vlerësimet nga FMN flasin se Kosova do të përmbyllë këtë vit me rritje ekonomike prej vetëm 2.7%
“Viti 2022 parashihet të jetë sfidues për Kosovën. Vlerësimet e këtij muaji nga FMN flasin se Kosova do të përmbyllë këtë vit me rritje ekonomike prej vetëm 2.7%. Rritje më të ulët (2.4 %) parashihet të ketë vetëm Bosnja dhe Hercegovina. Shkak i kësaj rënie vlerësohet të jetë inflacioni i lartë, bilanci i pavolitshëm tregtar, rënia e investimeve publike dhe atyre private, rënia e konsumit për shkak të rritjes së çmimeve duke mbajtur pagat e pandryshuara në sektorin publik dhe ndikimi indirekt nga lufta në Ukrainë”, ka thënë ndër tjerash Mustafa.