Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar sot në lidhje me raportimet për djalin e tij i cili tash e shtatë vite gjendet në procedurë gjyqësore për shkak të një garancioni që e kishte lëshuar në Bankën për Biznes, me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Ai ka akuzuar mediat që po bëjnë fushatë linçuese dhe po e trajtojnë pabarabarësisht djalin e tij në raport me të akuzuarit e tjerë.
Ky është postimi i plotë i Mustafës që e ka shkruar sot në Facebook:
Kur drejtësia ngecë, turma ngre litarët
Filloi në vitin 2009 një procedurë ndaj Besnik Mustafës, djalit tim, për një garancion që ai si udhëheqës i shërbimit të financave në Bankën e Biznesit e kishte lëshuar me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës për një kompani fluturimi. Shtatë vite po zgjatë kjo procedurë hetimore dhe gjyqësore e cila përfshinë individë nga Ministria e Infrastrukturës dhe nga Banka e Biznesit. Dhe kaq vite mediat tona, sidomos njëra prej tyre, bëjnë fushatë linçuese. Të gjithë të akuzuarit dhe të dyshuarit e tjerë, cilësohen me emër dhe mbiemër, kurse për Besnikun tim, thuhet djali i Isa Mustafës. E Isa Mustafa nuk ka punuar në Bankën e Biznesit. Një herë, djali i Kryetarit të Komunës e tani djali i Kryeministrit.
Vërtetë Besniku është djali im. Një djalë i mrekullueshëm, i ndershëm, punëtorë i mirë, i cili punon nga agu deri në mbrëmje dhe jeton me punën e tij. Djalë që e dua e respektoj dhe i besoj, ashtu siç i besoj Arbenit dhe Afërditës. Ai duhet të trajtohet barabar me tjerët para ligjit dhe, nëse gjendet se ka gabuar, duhet të përgjigjet para ligjit. Para ligjit, jo para linçuesve dhe organizatorëve të linçimit.
Nëse ai ka gabuar, kjo duhet të dëshmohet në sistemin e drejtësisë. Për fat të mirë ky sistem tani po ç’kapet dhe duhet në mënyrë të pavarur ta bëjë punën e vet. Denigrimi publik, dhe vërja e litarit për të varur dikën nga disa media e më parë edhe nga disa njerëz të shërbimeve informative është pasojë e ngecjes së drejtësisë.