Lidhja Demokratike e Kosovës, sot në një konferencë për media, ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me arrestimin e nënkryetarit të kësaj partie, Haki Rugova.
Të premten e kaluar, Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e Istogut, nën dyshimin për keqpërdorim detyre, konflikt interesi dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.
Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka bërë të ditur se pas 48 orëve në paraburgim, gjykata sot ka vendosur që ta ndërpresë paraburgimin ndaj Rugovës dhe ai do të mbrohet në liri.
“Sipas deklaratave të prokurorisë dhe policisë së Kosovës kemi kuptuar se zoti Rugova është arrestuar si i dyshuar për konflikt interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare siç thonë ata. Pas 48 orëve në paraburgim, gjykata sot ka vendosur që ta ndërpresë paraburgimin për të dhe ai do të mbrohet në liri… LDK gjithherë e ka përkrahur drejtësinë e pavarur që ajo të zbatohet çdo kujt, por të zbatohet sipas ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës. Një sistem i drejtë i drejtësisë i duhet këtij vendi siç thotë populli, si buka dhe uji. Një sistem i kapur shkakton pasiguri te qytetarët, të cilët frikësohen se një ditë mund të jenë viktimë e lidhjes së sistemit të drejtësisë me politikën apo grupe të forta të interesit”, tha Mustafa.
Sipas tij, në rastin e Haki Rugovës, arrestimi dhe mbajtja në arrest është bërë pa asnjë bazë ligjore dhe ai në emër të LDK-së ka kërkuar që për këtë rast të zhvillohet sa më shpejt procesi gjyqësor dhe të vërtetohet baza e akuzave.
“Nëse procesi zvarritet, ne konsiderojmë se arrestimi i tij si kryetar i Komunës dhe nënkryetar i LDK-së është bërë me qëllime politike që ta dëmtojë atë personalisht dhe LDK-në, e cila sot po mundohet të bëjë përpjekjet më të mëdha për ta qeverisur vendin. Arrestimi nga policia dhe prokuroria është kryer në ditën kur në parlament është diskutuar 100 ditshi i qeverisë, sepse është një qeveri pa afera korruptive dhe dyshojmë se me këtë po tentohet të njolloset pastërtia e kësaj qeverie”, është shprehur Mustafa.
Për më tepër, Mustafa ka bërë të ditur se LDK do t’i drejtohet organeve kompetente për të kërkuar se mbi cilat baza ligjore, policia dhe prokuroria kanë arrestuar kryetarin e Istogut. Ai ndërkaq tha se rasti Rugova do të trajtohet nga Prokuroria Speciale.
“Ne kërkojmë si LDK barazi para ligjit dhe respektim të plotë të ligjit nga institucionet e drejtësisë. Ne nuk dëshirojmë të krahasohemi me shembuj të këqij dhe drejtësia të kryejë punën e saj mbi bazën e ligjit dhe jo mbi bazën e porosive. LDK kërkon që prokuroria dhe policia të qëndrojnë larg politikës. Nëse prokurori apo prokurorja e merr rolin e diktimit të zgjedhjeve në Istog, e nesër në Pejë apo diku tjetër, sepse është e lidhur me ndonjë parti politike, atëherë rrezikohet demokracia në vend dhe humb sensi i zgjedhjeve të lira e demokratike në vend. Jam njoftuar nga avokati i Rugovës që rasti i tij të trajtohet nga Prokuroria Speciale dhe kjo e fundit ta marrë këtë lëndë, sepse kemi besim të plotë se ajo do ta kryejë punën në bazë të ligjit”, tha Mustafa.
Gjykata Themelore në Pejë sot ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës një muaj arrest shtëpiak ndaj Haki Rugovës për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale konflikt i interesit, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale falsifikim i dokumentit zyrtar.
Masë arresti shtëpiak prej një muaji i është caktuar edhe të pandehurit tjetër L.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim i dokumentit zyrtar.
Ndërsa, për të pandehurin F.B, i dyshuar se në bashkëkryerje me të pandehurit H.R dhe L.B kishte për të kryer veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar, prokurori i shtetit në seancë hoqi dorë nga propozimi për caktimin e masës së arrestit shtëpiak./KosovaPress/