Grupi i Shtetit Islamik (IS) ka ekzekutuar mbi 2,000 njerëz në dhe përreth qytetit Mosul të Irakut, prejse ka marrë kontrollin e tij në qershor të vitit 2014.
Militantët “kanë vrarë me gjakftohtësi 2,070 banorë, të cilët nuk kanë bashkëpunuar me ta”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Irakut, Khaled al-Obeidi, në një video të postuar në ueb-faqen e ministrisë.
Kryetari i Parlamentit irakian, Saleem al-Jabouri, ka thënë se ekzekutimet në masë paraqesin “krim historik të gjenocidit”, ndërsa kryeministri Haider al-Abadi ka deklaruar se vrasjet janë përgjigje për humbjet e militantëve të Shtetit Islamik përballë forcave qeveritare në provincën Anbar.
Emrat e 2,070 njerëzve janë vënë në një listë të hartuar nga grupi militant, pjesë të së cilës janë vendosur në një mur të degës së Ministrisë së Shëndetësisë.
Lista thuhet se i është dhënë stafit të ministrisë për të lëshuar certifikatat e vdekjes.
Në mesin e emrave në listë janë policë, ish-oficerë të ushtrisë, zyrtarë lokalë, avokatë, gazetarë, mjekë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut. Emrat tregojnë se edhe shumë gra janë ekzekutuar po ashtu.
Një burim në Ministrinë e Shëndetësisë ka thënë se viktimat janë akuzuar nga grupi i Shtetit Islamik për “promovimin e ideve që shtrembërojnë Islamin”. Të gjithë të vrarët kanë jetuar në provincën Nineveh, kryeqytet i së cilës është Mosuli.
“Kushëriri im është një nga viktimat. Ai është arrestuar nga militantët e Shtetit Islamik në shtëpinë e tij në qendër të Mosulit. Ai ka punuar për komitetin zgjedhor”, tregon një banor i Mosulit, i cili do që të mbetet anonim për shkak të frikës nga hakmarrja.
Dëshmitarët dhe burimet në një morg të Mosulit thonë se shumica e ekzekutimeve kanë ndodhur gjatë gjashtë muajve të fundit.
Shumë viktima janë vrarë për krime të zakonshme, si vjedhje, dhe janë varrosur më parë, por trupat e gazetarëve, policëve dhe ushtarëve janë dërguar në morg më 7 gusht.
Lëvizja Qytetare për Reforma, grup për të drejtat e njeriut, ka thënë se është “e tronditur” me ekzekutimet masive.
“Militantët, madje, nuk kanë dorëzuar trupat. Ky është një krim i pashembullt dhe barbar. Ajo që ka ndodhur në Mosul është e barabartë me atë që ka ndodhur në Speicher. Duhet të konsiderohet krim lufte”, ka thënë Lëvizja Qytetare për Reforma.
Kur militantët kanë përfshirë zemrën sunite të Irakut qershorin e kaluar, ata kanë rrëmbyer rreth 1,700 rekrutë shiitë në bazën Speicher, pranë qytetit Tikrit, dhe i kanë masakruar.
Ky incident ka luajtur rol kyç në mobilizimin masiv të vullnetarëve shiitë për të luftuar kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe është konsideruar si njëri nga krimet më të këqija në konflikt.
Militantët po ashtu kanë kryer shumë ekzekutime publike, përfshirë prerje të kokës, pushkatim, vrasje me gurë dhe hedhje të viktimave nga ndërtesa të larta./REL/