Vendimi që Rusia të lëshojë viza për pasaportat e Kosovës, e ka tronditur Serbinë.
Ambasada ruse në Beograd ka njoftuar se qytetarët nga Kosova mund të hyjnë në Federatën ruse vetëm në raste të veçanta apo kur marrin pjesë në ngjarje sportive nën përfaqësimin e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik dhe federatave ndërkombëtare sportive.
E përditshmja më e madhe serbe “Blic”, në numrin e së shtunës ia ka kushtuar tërë ballinën këtij lajmi, transmeton Indeksonline.
“Putin pranon pasaportën e Kosovës”, është titulli kryesor, derisa në mbititull ka të shkruar: “Vëllazërisht – Vendim i befasishëm i miqve tanë të mëdhenj”.
“Prishtina kremton atë që Rusia pas 15 vitesh i ka pranuar dokumentet e tyre të udhëtimit. Moska ‘sqaron’ se me pasaportë të Kosovës tash për tash mund të hyjnë vetëm sportistët”, shkruan “Blic”.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se “fajtor për këtë është Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, e jo rusët”.