Irani krahasoi sulmet e NATO-s ndaj Serbisë, me luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër tyre

E publikuar: 25/03/2026 22:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasada iraniane në Serbi ka publikuar një mesazh me rastin e përvjetorit të bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavi në vitin 1999, duke e krahasuar atë ndërhyrje me luftën aktuale të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit.

“24 marsi i vitit 1999 është një datë që do të mbetet përgjithmonë e paharrueshme. Para 27 vitesh, NATO nisi një agresion të paligjshëm 78-ditor ndaj Serbisë, duke shkelur ligjin ndërkombëtar pa mandat nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, shkruan ambasada në rrjetet sociale.

Sipas saj, gjatë sulmeve “qëllimisht u goditën objekte civile, përfshirë shkolla dhe spitale”, duke shkaktuar viktima të shumta mes civilëve dhe fëmijëve.

Kujtojmë se në mars të vitit 1999, NATO nisi sulme ajrore ndaj atëhershmes Jugosllavi, pas masakrave në Kosovë dhe dështimit të negociatave diplomatike, me arsyetimin se synonte të ndalonte dhunën ndaj civilëve shqiptarë.

Kjo ndërhyrje erdhi pas një serie luftërash që regjimi i Slobodan Millosheviqit nisi gjatë viteve 1990 në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, të cilat u shoqëruan me krime të rënda lufte, përfshirë pastrime etnike dhe rrethime të qyteteve.

Shtetet perëndimore argumentuan se veprimi ushtarak ishte i domosdoshëm për të parandaluar një katastrofë humanitare, ndërsa më vonë gjykatat ndërkombëtare gjykuan shumë zyrtarë të lidhur me regjimin e Millosheviqit.

Mesazhi i ambasadës iraniane vjen në një kohë kur po zhvillohet lufta midis SHBA-ve dhe Izraelit nga njëra anë, dhe Iranit nga ana tjetër, e cila filloi në fund të shkurtit me sulme të koordinuara ndaj objektivave ushtarake dhe infrastrukturës iraniane.

Pas këtyre sulmeve, Irani iu përgjigj me goditje ndaj Izraelit dhe aleatëve amerikanë në rajon, duke kërcënuar gjithashtu Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për tregtinë globale të naftës, dhe kështu konfliktin e zgjeruar në të gjithë Lindjen e Mesme.