Irani e pranon se ka shumë viktima në Siri

E publikuar: 07/05/2016 20:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Teherani thotë se disa prej ushtarëve të tij janë vrarë gjatë luftimeve në Aleppo të Sirisë, në atë që mund të konsiderohet si humbja më e madhe e Iranit në Siri që nga vendosja e forcave atje për ta mbështetur presidentin sirian, Bashar Al-Assad.

Agjencia e lajmeve Fars ka cituar sot zyrtarë të Gardës Revolucionare të Iranit të kenë thënë se 13 këshilltarë ushtarakë janë vrarë dhe 21 të tjerë janë plagosur gjatë përplasjeve me kryengritësit islamikë gjatë ditës së djeshme në Khan Touman, rreth 15 kilometra në jugperëndim të Aleppos.

Sipas Reutersit, mbi dhjetë njerëz u vranë në atë betejë.

Raportet thonë se sulmi në Khan Touman ishte lëshuar nga aleanca e kryengritësve islamikë, të njohur si Jaish al-Fatah, përfshirë edhe Frontin Al-Nusra.

Më herët këtë javë, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ndërmjetësuan një armëpushim në qytetin e Aleppos. Por, luftimet në jug të qytetit kanë eskaluar ditëve të fundit.

Që nga fillimi i luftës në Siri, në vitin 2011, kanë mbetur të vrarë rreth 280 mijë njerëz./rel/