
Rezultatet zyrtare të referendumit që u bënë të ditura të mërkurën, tregojnë se kurdët irakianë votuan “po” për pavarësinë nga Bagdadi, me një shumicë dërrmuese prej 92 për qind.
Referendumi i së hënës për pavarësi u kundërshtua nga qeveria në Bagdad, nga vendet fqinje e Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë disa kompani ajrore të Lindjes së Mesme thonë se do të zbatojnë një urdhër të autoriteve irakiane që ndalon udhëtimet ajrore brenda dhe jashtë rajonit kurd në Irakun e veriut.
Kryeministri i Irakut Haider al-Abadi tha se do të urdhërojë ndalimin e fluturimit nëse krerët kurdë, nuk do tu japin kontrollin mbi aeroportet rajonale, autoriteteve federale, gjë që kanë refuzuar të bëjnë.
Kreu i kompanisë ajrore Libaneze për Lindjen e Mesme Mohammad El-Hout njoftoi se pas të premtes linja ajrore do të ndalonte të gjitha fluturimet drejt Irbilit (kryeqyteti i kurdëve irakianë) apo prej këtij qyteti. Gjithashtu edhe kompania ajrore egjiptiane njoftoi se do të ndalonte të premten fluturimet nga Kajro në Irbil dhe anasjelltas.


















