IPKO mbështet kampionet e KB SIGAL Prishtina edhe për tri vjet tjera

E publikuar: 12/06/2015 14:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së re mes IPKO dhe KB SIGAL Prishtina është bërë e ditur se IPKO do ta mbështesë kampionin në fuqi të Kosovës në basketboll dhe kampionin e Ligës Ballkanike, KB SIGAL Prishtina edhe për tri vjet tjera në vazhdim.

“Me këtë marrëveshje të re, IPKO nuk po e mbështet vetëm klubin më të suksesshëm të basketbollit në Kosovë dhe kampionin e Ballkanit, por po e mbështet mentalitetin fitues të basketbollistëve të rinj kosovar dhe sportin, si mjetin më të mirë për promovimin e Kosovës dhe të rinjëve të saj, të cilët janë të uritur për suksese dhe arritje në nivelet më të larta ndërkombëtare” ka thënë Robert Erzin, drejtor ekzekutiv i kompanisë IPKO.

“Si lider në cilësi dhe inovacion, IPKO e kupton mirë dhe drejtë ndjenjën e fitores, prandaj do të qëndrojë pranë të rinjëve me të cilët krenohet shoqëria kosovare” vazhdon më tej Erzin.Displaying 2.jpg

“Në emër të tifozëve, lojtarëve dhe gjithë dashamirëve të basketbollit kosovar, unë e falënderoj IPKO-në për mbështetjen e dhënë, dhe nga zemra mund ta them se pa këtë mbështetje, KB SIGAL Prishtina nuk do të ishte kaq e suksesshme sa është sot. Përveç si mbështetës të klubit, ne IPKO-në e shohim edhe si kontribues të rëndësishëm të sportit në Kosovë, sepse e dimë që mbështetja e kompanisë ka qenë e pakursyer edhe për sportet e tjera, dhe të rinjtë kosovar në përgjithësi” tha drejtori i KB SIGAL Prishtina, Florian Miftari.

Marrëveshja e re mes IPKO dhe KB SIGAL Prishtina parasheh edhe shumë mbështetje për tifozët e klubit, të cilët IPKO do t’i shpërblejë me bileta dhe dhurata të ndryshme, përgjatë tri viteve në vijim, ndërsa për lojtarët dhe drejtuesit e ekipit do të ketë numra dhe internet në mobil 4G.

Në sezonin 2014/2015, KB SIGAL Prishtina  ishte fituese e Superkupës së Kosovës, fituese e titullit të Kampionit të Kosovës, si dhe fituese e Ligës Ballkanike (ekipi i parë kosovar me trofe ndërkombëtar).