IPK rekomandon suspendimin e tre policëve në Suharekë, pas vetëvrasjes të një të dyshuari

E publikuar: 04/07/2025 14:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektorati Policor i Kosovës rekomandoi suspendimin e tre policëve të Stacionit të Policisë në Suharekë,
pasi në një dhomë të ndalimit në këtë stacion e ngufati veten një person i dyshuar për dhunë në familje.

 

Komunikatë për media

Inspektorati Policor i Kosovës bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin për të zyrtarë policorë (një rreshter dhe dy zyrtarë policorë), të gjithë punonjës në Stacionin Policor në Suharekë, Drejtoria Rajonale e Policisë Prizren.

Kjo kërkesë për suspendim përkohshëm dhe në interes të hetimit, mbështetet në rrethanat e krijuara nga vdekja tragjike e një të ndaluari si i dyshuar për një rast të dhunës në familje e i cili sipas të dhënave dhe hetimeve preliminare, dyshohet se është vetë-ngulfatur brenda dhomës së ndalimit në stacion policor.

Bazuar në pozitat dhe përgjegjësitë konkrete të zyrtarëve në fjalë, dhe nga veprimet e ndërmarra hetimore, në këtë fazë ekziston dyshimi i arsyeshëm se me veprimet apo mosveprimet e tyre nga zyrtarët policorë mund të ketë pasur neglizhencë të mundshme në përmbushjen e detyrave zyrtare, veçanërisht në aspektin e garantimit të sigurisë së personit të ndaluar.

Suspendimi i përkohshëm paraqet masë të përkohshme mbrojtëse, në funksion të dhe interes të garantimit të integritetit të hetimit që po zhvillohet lidhur me këtë rast, si dhe të shmangies së çdo ndikimi të mundshëm në procesin hetimor.

IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast që po trajtohet në këtë fazë si hetim i vdekjes.