IPK publikon Raportin e inspektimit, jep 6 rekomandime

E publikuar: 10/08/2023 15:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Departamenti i Inspektimit në kuadër të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ka publikuar Raportin e inspektimit “Shqyrtimi i lëndëve për shkelje disiplinore dhe shqiptimi i masave ndaj punonjësve të Policisë së Kosovës nga Komisioni i Brendshëm Disiplinor”.

IPK njofton se inspektimi është realizuar duke u bazuar në Planin Vjetor të inspektimeve të rregullta të IPK-së dhe është përqendruar në Komisionin e Brendshëm Disiplinor (KBD), në kuadër të Zyrës së zëvendësdrejtorit të përgjithshëm për resurse.

Sipas IPK-së, gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për tërë strukturën policore, përfshirë nivelin drejtues vendimmarrës dhe atë operativ – administrativ.

Në njoftimin e IPK-së, thuhet se në kuadër të këtij Raporti, janë dhënë gjashtë rekomandime.

“IPK në kuadër të Raportit të inspektimit ka dhënë gjashtë (6) rekomandime që kanë të bëjnë me: analizimin e gjendjes sasiore me burime njerëzore dhe shqyrtimin e mundësive për shtim të numrit të anëtarëve të përhershëm të KBD-së, realizimin me kohë të proceseve të përzgjedhjes së anëtarëve zëvendësues të KBD-së dhe formalizimin e vazhdimit të mandateve konform rregullave, krijimin e paneleve shqyrtuese duke marrë parasysh edhe specifikat e lëndëve, ushtrimin e kontrollit të vazhdueshëm për t’u siguruar se dosjet e rasteve mbahen të plota, pajisjen me të gjitha llojet e evidencave fizike, si dhe përfshirjen e anëtarëve zëvendësues në shqyrtime disiplinore sipas një ndarjeje më të drejtë duke siguruar se i gjithë personeli shtesë kontribuon mjaftueshëm në përmbushjen e mandateve”, thuhet më tej.