IPK po heton Stacionin Policor në Podujevë për keqtrajtim të të ndaluarve

E publikuar: 23/01/2026 07:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetime ndaj Stacionit Policor në Podujevë për dyshime për keqtrajtim të personave të ndaluar, pas gjetjeve shqetësuese të evidentuara gjatë një inspektimi të jashtëzakonshëm. Hetimi përfshin trajtimin fizik të të ndaluarve, ofrimin e ndihmës mjekësore, si dhe mungesën e dokumentimit për racionet ushqimore gjatë qëndrimit në ndalim, raporton Infosot.

Sipas raportit të IPK-së, të përfunduar më 29 dhjetor 2025, inspektimi është iniciuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së, Kushtrim Hodaj, dhe ka pasur për qëllim vlerësimin e respektimit të të drejtave të personave të privuar nga liria në Qendrën e Ndalimit të këtij stacioni policor.

Një nga gjetjet më serioze të raportit lidhet me një rast ku tek një person i ndaluar janë evidentuar lëndime trupore. IPK ka konfirmuar se për këtë rast është hapur hetim i veçantë, ndërsa janë siguruar dëshmi se i ndaluari ka marrë trajtim mjekësor para dhe pas vendosjes në Qendrën e Ndalimit.

Megjithatë, raporti thekson se rasti po trajtohet ende dhe se dyshimet për keqtrajtim janë nën verifikim, duke e bërë këtë çështje një nga aspektet më shqetësuese të inspektimit.

Një tjetër gjetje problematike ka të bëjë me mungesën e dokumentimit për racionet ushqimore për personat e ndaluar. IPK ka konstatuar se, ndonëse sipas zyrtarëve policorë ushqimi u është ofruar të ndaluarve, në dosjet përkatëse mungojnë formularët që dëshmojnë këtë veprim.

Sipas raportit, mosplotësimi i këtyre formularëve përbën shkelje të Procedurave Standarde të Operimit dhe krijon hapësirë për dyshime mbi trajtimin real të të ndaluarve gjatë qëndrimit të tyre në qendër.

IPK ka evidentuar gjithashtu se në Qendrën e Ndalimit në Podujevë janë angazhuar zyrtarë policorë pa trajnim specifik për këtë lloj detyre. Vetëm gjatë muajit të fundit, nëntë zyrtarë janë përfshirë në punë në këtë qendër pa i përfunduar trajnimet e nevojshme, ndonëse stafi i përhershëm i qendrës ka qenë i trajnuar.

Sipas IPK-së, angazhimi i personelit të patrajnuar rrit rrezikun për shkelje procedurale dhe cenim të të drejtave themelore të personave të ndaluar.

Përveç dyshimeve për keqtrajtim, raporti përmend edhe mangësi infrastrukturore dhe administrative. Një nga dhomat e ndalimit nuk ka ajrosje të mjaftueshme, ndërsa një tjetër nuk posedon tualet të brendshëm. Po ashtu, IPK ka konstatuar se dokumentacioni nuk është plotësuar në mënyrë të rregullt, veçanërisht në rastet kur është ofruar ndihmë mjekësore.

Në përfundim, IPK ka rekomanduar që Policia e Kosovës të ndërmarrë masa konkrete për trajnimin e të gjithë zyrtarëve që angazhohen në Qendrën e Ndalimit, të përmirësojë kushtet infrastrukturore dhe të sigurojë dokumentim të plotë për çdo veprim ndaj personave të ndaluar.

Hetimet lidhur me dyshimet për keqtrajtim pritet të vazhdojnë, ndërsa IPK nuk ka dhënë detaje shtesë për masat disiplinore të mundshme në këtë fazë.

IPK raport Inspektimi-Podujeve_(Dokument)