Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka përfunduar një Inspektim Vlerësues të Performancës në Stacionin Policor të Mitrovicës së Jugut, duke nxjerrë në pah disa parregullsi serioze që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Raporti i Inspektoratit, evidenton mangësi të theksuara sidomos në menaxhimin e dëshmive materiale, sistemin e regjistrimit, si dhe përdorimin dhe funksionalitetin e sistemeve të kamerave të sigurisë në stacion.
Raporti i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), me fokus te performanca e Stacionit Policor të Mitrovicës (Jugu), ka identifikuar se në Dhomën e Dëshmive mungon ndarja e qartë fizike për dëshmitë që konsiderohen me rrezik të lartë apo me natyrë të ndjeshme. Po ashtu, Stacioni Policor nuk mban evidencë të plotë për sistemin e numërimit, emërtimin e rafteve dhe udhëzimin se ku gjenden dëshmitë e depozituara. IPK kërkon vendosjen e menjëhershme të ndarjeve fizike dhe përditësimin e rregullt të Librit të Regjistrimit të Dëshmive dhe bazës së të dhënave, raporton Infosot.
Gjetje shqetësuesi sipas raportit të IPK-së është edhe mungesa e mbikëqyrjes dhe kontrollit të vazhdueshëm mbi funksionalitetin e kamerave të sigurisë, të cilat janë thelbësore për integritetin operacional. Po ashtu, raporti konstaton se monitorimi i sistemit të kamerave nuk bëhet nga zyrtarët e duhur dhe mungon regjistri i plotë i qasjes.
Sipas raportit, Stacioni Policor nuk ka arritur të dokumentojë plotësisht dhe t’i azhurnojë procedurat standarde të punës (SOP-të) në lidhje me disa aktivitete kryesore, duke krijuar potencial për paqartësi dhe gabime operacionale.
Është kërkuar një rishikim i thellë i punës së komisioneve të ndryshme brenda Stacionit, veçanërisht atyre që merren me inventarizimin, shitjen-shkatërrimin e dëshmive, pasi janë vërejtur lëshime në zbatimin e kërkesave ligjore.
Një nga gjetjet më shqetësuese lidhet me Dhomën e Dëshmive. Sipas raportit, dëshmitë me “risk të lartë” dhe “me natyrë të ndjeshme”, si ato që lidhen me trafikim, narkotikë apo armë ilegale, nuk kanë një ndarje fizike të dedikuar. Kjo jo vetëm që cenon integritetin e dëshmive, por rrit edhe rrezikun e manipulimit apo humbjes së tyre.
IPK thekson se mungon një ndarje e qartë fizike për dëshmitë që konsiderohen me risk të lartë, si dhe dëshmitë me natyrë të ndjeshme.
“Po ashtu, mungon evidenca e plotë për sistemin e numërimit, emërtimin e rafteve dhe udhëzimin se ku gjenden dëshmitë e deponuara”, thuhet në raport.
Për të adresuar këtë, IPK ka dhënë detyra të qarta që komandanti i stacionit duhet të organizojë inspektime të rregullta, kurse zyrtarët përgjegjës duhet të kërkojnë materialet specifike për të krijuar ndarjet e nevojshme fizike. Gjithashtu, theksi vihet te rëndësia e evidentimit të të gjitha dëshmive në Librin e Regjistrimit dhe në Sistemin e Menaxhimit të Dëshmive.
Një tjetër mangësi që është evidentuar në raport dhe është ngritur si kërkesë tek drejtuesit është që komisionet brenda stacionit, të ngritura për të menaxhuar inventarët dhe dëshmitë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre sipas kërkesave ligjore. Kjo ka rezultuar në lëshime lidhur me procedurat standarde të shkatërrimit apo shitjes së dëshmive materiale, të cilat duhet të jenë transparente dhe të dokumentuara në çdo hap.
Inspektorati Policor i Kosovës e përmbyll raportin me një kërkesë të qartë për strukturat e larta të Policisë së Kosovës. Kërkohet që Komandanti i Stacionit Policor të Mitrovicës së Jugut të sigurojë mbikëqyrje dhe kontroll në vazhdimësi. Qëllimi është që të gjitha rekomandimet e adresuara të zbatohen në tërësi dhe në kohë, në mënyrë që të ngrihet niveli i llogaridhënies dhe integritetit operacional të këtij stacioni.
IPK thekson se zbatimi i këtyre rekomandimeve është jetik për të siguruar besueshmërinë dhe transparencën e punës policore në një zonë me ndjeshmëri të lartë operacionale, siç është Mitrovica. Mediat online pritet të ndjekin në vazhdimësi nëse Stacioni Policor i Mitrovicës (Jugu) do t’i adresojë këto gjetje në muajt në vijim.


















