5 zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar vetëm në muajin shtator të këtij viti si shkak i dyshimeve në përfshirje në veprime të kundërligjshme. Sipas raportit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), gjatë shtatorit janë pranuar dhe menaxhuar gjithsej 233 ankesa, duke shënuar një nivel të lartë të aktivitetit hetimor dhe disiplinor brenda sistemit policor, raporton Infosot.
Mesatarisht, IPK ka pranuar 58.2 ankesa në javë dhe 7.8 ankesa në ditë, të cilat janë trajtuar sipas natyrës së shkeljeve. Nga ky numër, 154 ankesa janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për trajtim në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës në Policinë e Kosovës, ndërsa 79 raste të tjera janë dërguar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së, me dyshime për vepra penale.

Në kuadër të këtyre hetimeve, IPK ka dhënë gjithashtu 8 rekomandime për suspendim të zyrtarëve policorë “në interes të hetimit”, ndërsa për disa raste është ndërmarrë veprimi i menjëhershëm ligjor. Gjatë muajit shtator janë proceduar 54 raste në Drejtorinë e Hetimeve, në Departamentin për Procedura Penale në Policinë e Kosovës dhe në Arkivin e IPK-së.
Në raport përmendet se janë parashtruar 8 kallëzime penale, 3 raporte të veçanta dhe 8 raporte informuese në Prokurorinë e Shtetit, si pjesë e bashkëpunimit të rregullt ndërinstitucional në hetimin e veprave penale që përfshijnë pjesëtarë të Policisë.
IPK ka theksuar se përmes këtyre inspektimeve synon të sigurojë llogaridhënie, efektivitet dhe efikasitet në punën e Policisë së Kosovës, si dhe respektim të plotë të ligjeve, akteve nënligjore dhe procedurave standarde operuese.



















