Steve Jobs duke e prezantuar një model të iPhone-it.
Zakonisht telefonat e kompanisë Apple e humbin vlerën, në momentin që nxirren nga dyqani.
Por, janë disa raste speciale, sikurse ajo e një ankandi në Shtetet e Bashkuara, ku një telefon i pahapur iPhone, i edicionit të parë me memorie 4 gigabajt, është shitur për 190.372 dollarë.
Në atë periudhë nuk janë prodhuar shumë telefona të tillë, duke e bërë atë tejet të veçantë për koleksionuesit e iPhone-ve.
Në garë për ta blerë telefonin në fjalë kanë qenë 28 pjesëmarrës.
Telefoni është shitur në ankand rreth 400 herë më shtrenjtë sesa çmimi i tij origjinal.
I lëshuar për herë të parë më 2007 nga ish-udhëheqësi i kompanisë, Steve Jobs, Apple ka vendosur të heqë nga tregu këtë telefon me memorie 4 gigabajt për shkak të ngecjeve në shitje.
Shumica e njerëzve kanë vendosur, atëbotë, të blejnë versionin me memorie 8 gigabajt, i cili është lansuar në po të njëjtën kohë.
Shumë shpesh nëpër ankande shiten gjëra të ndryshme të Jobsit.
Së fundi janë shitur disa poema që ai i ka shkruar në shkollë të mesme, fotografi të tij në kolegj dhe dokumente tjera.
Steve Jobs, bashkëthemelues i kompanisë Apple, ka vdekur më 2011, në moshën 56-vjeçare, nga kanceri në pankreas.
Ai ia ka prezantuar botës produktet: iMac, iPod, iPhone dhe iPad.