Milani do të testojë forcën të dielën ndaj një kundërshtari që mban pozita komode në klasifikim. Pas dy sukseseve rresht në kampionat, Filipo Inzaghi kërkon të ruajë vazhdimësinë e rezultateve pozitive por Sampdoria mbetet një vizitor jokomod.
“Pikët që ka në klasifikim i ka merituar, prandaj duhet të tregohemi të kujdesshëm. Sampdoria ka lojtarë të mëdhenj dhe unë mendoj se është skuadër e kompletuar. E kemi përgatitur ndeshjen në mënyrën e duhur dhe do të kërkojmë fitoren”.
Në transfertën e Palermos kuqezinjtë funksionuan si një skuadër e bashkuar duke dhuruar edhe kombinime interesante në sulm. Trajneri e pranon se gjërat kanë filluar të funksionojnë.
“Janë kombinime që bënjë pjesë në ADN-në tonë por duhet kohë sepse disa lojtarë janë bashkuar me ne në muajin Janar. Menez? Është një lojtar i disiplinuar dhe mendoj se po bën mirë në çdo pozicion që luan”.
Në këtë optikë, Inzaghi kërkon Milanin e Palermos për të rrëzuar një tjetër kundërshtar të rrezikshëm.
“E kam thënë përherë se dëmtimet nuk duhej të ndikonin te rezultatet tona por tani që i kam pothuajse të gjithë në dispozicion kam mundësi të punoj më mirë. Ndaj Sampdorias duhet të luajmë të shpenguar duke kërkuar të imponojmë lojën tonë”