Transferimi i fitimit jashtë nga kompanitë e huaja ishte 240 milionë euro, trefishim në raport me një vit më parë. Rritja ka qenë veçanërisht e fortë në dy tremujorët e fundit të këtij viti, ku fitimet e transferuara jashtë kërcyen në 64 milionë euro, nga 10 milionë euro në periudhën qershor-shtator 2013 dhe nga 24 në 70 milionë euro në tremujorin e fundit.
Investimet e huaja të drejtpërdrejta në vendin tonë kanë ardhur në rënie. Raporte të Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera ekonomike ndërkombëtare vlerësojnë se ekonomia shqiptare ka ruajtur një trend minimal rritës, por kjo nuk mund të thuhet për investimet e huaja. Në vitin 2013, vlera e tyre në vendin tonë arriti në nivele rekord, 923 milionë euro, dhe pjesa më e madhe e kësaj shume ka qenë riinvestimi i kapitalit të përfituar nga operimi i kompanive të huaja në vendin tonë. Ndërkohë, në vitin 2014 investimet e huaja nisin të shënojnë rënie në Shqipëri.
Edhe pse nuk ka një raport përfundimtar për vlerën e tyre, trendi i investimeve duket qartë që është në rënie. Sipas statistikave të bilancit të pagesave, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, për periudhën janar – shtator të vitit 2014, investimet e huaja të drejtpërdrejta në vendin tonë kapin një vlerë prej 536 milionë eurosh, me një rënie prej 26 përqindësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në tremujorin e parë të vitit 2014, vlera e investimeve të huaja arriti në 193 milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ato arrinin në 115 milionë euro dhe deri vjet në mars ecuria ishte pozitive. Trendi rënës i investimeve të huaja fillon në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, duke arritur në 144 milionë euro, pra sa gjysma e 12 muajve më parë, kur regjistroheshin 271 milionë. Në tremujorin e tretë 2014 arrijnë në 189 milionë euro, nga 307 milionë që ishin në vitin 2013. Ndërsa të dhënat për tremujorin e katërt ende nuk kanë dalë, duke parë tremujorët paraardhës dhe në padijeni të ndonjë investimi madhor në Shqipëri, mund të themi se presim përsëri një përgjysmim.
Sipas Bankës së Shqipërisë, peshën kryesore në investimet e huaja e zënë hidrokarburet, që kanë pasur një tendencë në rritje, vetëm se çmimi i ulur në tregjet botërore dekurajon prurjet e mëtejshme të kapitaleve nga jashtë. Ndërkohë, nuk ka patur prurje të kapitalit të ri, por vetëm riinvestim të fitimit të kompanive. Logjika të bën të mendosh se investitorët e huaj nuk e shohin më tërheqëse si situatën ekonomike të Shqipërisë. Kjo është pjesërisht e vërtetë, pasi rritja e fluksit të investimeve të huaja në vend erdhi në atë kohë, kur pjesa më e madhe e vendeve evropiane dhe të Afrikës Veriore përjetuan një tkurrje të financiare në ekonomitë e tyre. Tani që situata në këto vende po shkon drejt përmirësimit, është e logjikshme që një pjesë e investimeve në Shqipëri të reduktohet, pasi janë vendet e BE-së që tërheqin sasitë më të mëdha të fondeve.
Trefishohen transfertat e fitimeve jashtë
Ndonëse 2014-a konsiderohet si një vit i vështirë ekonomik, me një rritje që nuk duhet nëse do e kapë 2 përqindëshin, kompanitë e huaja kanë transferuar fitime të larta tek mëmat, duke qenë një nga faktorët kryesore që e kanë mbajtur të fortë euron në tregun vendas, ndonëse ajo ka rënë ndjeshëm në bursa.
Sipas statistikave të fundit të Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë, zëri “Të ardhurat nga investimet-debi”, që në pjesën më të madhe tregon transferimin e fitimit jashtë nga kompanitë e huaja, ishte 240 milionë euro, një trefishim në raport me një vit më parë, kur ishte vetëm 82 milionë euro.
Rritja ka qenë veçanërisht e fortë në dy tremujorët e fundit të këtij viti, ku fitimet e transferuara jashtë kërcyen në 64 milionë euro, nga 10 milionë euro në periudhën qershor-shtator 2013 dhe nga 24 në 70 milionë euro në tremujorin e fundit.
Transferimi i fitimeve jashtë vendit shënoi një rritje të ndjeshme në periudhën 2007-2009, duke qenë dhe një nga faktorët që zhvlerësoi lekun në vend (kërkesa e kompanive për valutë ishte shumë e madhe në një treg që vlerësohet se këmben rreth 3-5 milionë euro në ditë, duke ndikuar ndjeshëm kursin e këmbimit). Më pas ky zë shënoi rënie, teksa kompanitë filluan të ndienin presionin e krizës ekonomike.
Shqipëria humb dy vende në biznes
Shqipëria zë vendin e 94, ndër 130 të tjera, në listën e shteteve të rankuara nga FM Global për 3 faktorë: ekonomia, menaxhimi i riskut, si dhe furnizimi. Indeksi ofron një renditje vjetore të 130 vendeve dhe sipas elasticitetit të tyre të të bërit biznes dhe për të realizuar furnizimin e duhur, në raste menaxhimi rrisku. Një vit më parë, vendi ynë ishte pozicionuar në vendin e 92, duke zbritur dy vende kështu gjatë këtij viti.
Shtetet që kanë parë zbritjen më të madhe këtë vit është Ukraina, e 107-a, ku paqëndrueshmëria politike, e kombinuar me infrastrukturën e ulët, luajtën rol kryesor.
Një tjetër shtet që pa ulje, ishte Greqia, e rankuar e 65, nga 54 që ishte vjet, ku rol për këtë ka luajtur lëvizjet politike dhe frustrimi i shtetit për të marrë një tjetër ndihmë.
E krahasuar me rajonin, vendi ynë qëndron i parafundit në listë, ku në fund e rankuar e 99-ta është Bosnja dhe Hercegovina, pjesa tjetër e vendeve të rajonit vendoset para nesh në listë, përkatësisht: Maqedonia e 72, Turqia 85, Mali i Zi 67, Kroacia 51, Bullgaria 75.
Sipas tabelës së informuar për gjendjen në Shqipëri, për nga faktori ekonomi, Shqipëria zë vendin e 87 për 2015, duke u ngritur 5 vende nga viti 2014, që ishim pozicionuar të 92. Përsa i përket menaxhimit të riskut, këtë vit jemi në vendin e 84, duke humbur plot 8 vende nga viti 2014, ndërsa për zinxhirin e furnizimit qëndrojmë në vendin e 100, nga 130 vende gjithsej.
Tregu, pritet rritje e çmimit të bukës
Çmimi me pakicë i miellit është rritur me të paktën 5 për qind gjatë muajit të fundit. Pikat e pakicës e kanë shitur 1.600 lekë një sasi prej 25 kilogramësh, nga 1.450 që e shisnin në fillim të vitit. Sipas tregtarëve, çmimet janë rritur nga shumica prej më shumë se një muaji në të njëjtën masë.
Ky reagim është lajmëruar më parë nga grosistët, të cilët pohuan se, po hasin vështirësi në importin e gurit dhe të miellit për shkak të hyrjes në fuqi të embargos ruse.
Të njëjtin fakt pohojnë edhe furrat e bukës, për shkak të rezervave të mëdha ata nuk kanë nisur të reflektojnë çmimin e rritur te prodhimet finale të bukës.
Në muajin shkurt Rusia rriti tarifën doganore për grurin me mbi 30 për qind. Importi i drithërave për tregun vendas është i varur 80 për qind nga Rusia, sipas të dhënave të INSTAT-it. 49 për qind e importit realizohet nga furnitorët e drejtpërdrejtë rus dhe mbi 28 për qind nga Serbia, e cila vetë varët totalisht nga tregu rus.
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti pat lajmëruar në janar se ky “bllokim” nga Rusia nuk do të ndikojë në rritjen e çmimit të bukës dhe miellit dhe bukës në vend. Në këtë deklaratë ai iu referua rezervave të stokut të miellit, duke i premtuar biznesit të fushës edhe lehtësira fiskale në këmbim të mos rritjes së çmimeve.
Ministri pohoi në janar se, rezervat ishin të afta të mbulonin konsumin e dy muajve por siç duket, tani në përfundim të marsit ato jenë në përfundim dhe çmimet kanë nisur rritjen ndërkohë.
Rikthimi i emigracionit rrit remitancat
Pasi prekën fundin në 2013-ën, të ardhurat e emigrantëve janë gjallëruar në vitin 2014, duke shënuar ritmet më të larta të rritjes, që nga 2007-ta. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, përgjatë vitit 2014, emigrantët në Itali, Greqi etj, dërguan në shtëpi 592 milionë euro, me një rritje prej 8.6% në raport me 2013-ën. Një 2013-n remitancat arritën nivelin më të ulët që nga viti 2000, kur raportohen të dhënat, me një rënie prej gati 20% me bazë vjetore.
Rritja është konstatuar në tremujorin e tretë dhe të katërt, përkatësisht me 8 dhe 22%.
Shkaku i një fenomeni të tillë mund të shpjegohet qartë. INSTAT ka raportuar se vetëm gjatë vitit që shkoi janë larguar nga vendi 46 mijë persona. INSTAT parashikon se popullsia në moshën kulmore të emigrimit do të rritet gjatë dhjetë viteve të ardhshëm.
Pasi arritën nivelin më të lartë në 2007-n, transfertat e emigrantëve filluan të binin, duke reflektuar si tendencën ciklike (pas 20 viteve lidhjet me vendin mëmë fillojnë e zbehen) ashtu dhe krizën e pas 2008-s, që çoi në rritjen e papunësisë të shumë emigrantëve që punonin e jetonin në Greqi e Itali, dy burimet kryesore të remitancave drejt Shqipërisë.
Vlerësohet se në Itali e Greqi punojnë rreth 1 milion shqiptarë, të cilët dërgojnë vazhdimisht të ardhura te të afërmit e tyre.
Në Shqipëri, hemorragjia e largimeve nga vendi ka hyrë në vitin e 25-të dhe bilanci mbetet thellësisht negativ dhe kjo dukuri do të zgjasë edhe për të paktën 16 viteve, sipas parashikimeve nga INSTAT.
Mazhoranca hedh poshtë propozimin për ulje të çmimit të energjisë
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave nuk miratoi të mërkurën propozimin e Partisë Demokratike për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të çmimit të energjisë elektrike. Përmes një projektligji të depozituar në Kuvend, opozita propozoi që TVSH-ja për furnizimin e energjisë elektrike të ulet nga 20% në 6%.
Kjo masë, tha deputeti i Partisë Demokratike Sherefedin Shehu, në fjalën e tij në Komision, do të lehtësonte jashtëzakonisht barrën e rëndë ekonomike që po përballojnë sot shqiptarët. Gjithashtu, sipas tij, ulja e normës së TVSH-së nuk ndikon në performancën e të ardhurave të kompanive shtetërore siç janë KESH, OSHEE dhe OST.
Por ministri i Financave, Shkëlqim Cani, sqaroi se propozimi për uljen e TVSH-së është diskutuar nga opozita edhe me misionin e radhës së Fondit Monetar Ndërkombëtar. FMN-ja, tha ai, ka qenë kundër përshkallëzimit të TVSH-së. “Paketën fiskale, duke qenë diçka shumë serioze, e kemi realizuar në konsulta me FMN-në dhe Bankën Botërore. Nuk mjafton vetëm të propozosh këtë masë, por duhet të shohësh edhe kundërefektin dhe të japësh zgjidhje për të. Duhet marrë parasysh edhe një tjetër partner që veç FMN-së, është edhe BE. Kur kemi hartuar ligjin e TVSH-së nuk është pranuar ideja e përshkallëzimit të niveleve të TVSH-së”, – deklaroi ministri Cani.
Ishte deputeti Sherefedin Shehu që, në emër të PD, paraqiti në Komisionin e Ekonomisë kërkesën për uljen e TVSH për energjinë nga 20% në 6%. Ai tha se rritja e taksave varfëroi shqiptarët. Ndërkohë që çmimi i energjisë është i lartë, ulja e normës tatimore ul automatikisht çmimin dhe përfitimi shkon direkt te qytetarët. “Ulja e TVSH së energjisë të kompensohet me rritjen e performancës së kompanisë elektroenergjitike dhe OSHEE”, – theksoi Shehu.
Mosmarrja parasysh e këtij opsioni rrit rrezikun e rritjes së kostos së jetesës për shqiptarët, ndërkohë që mazhoranca qeverisëse shton edhe një premtim të pambajtur në listën e premtimeve të tjera.
Përfaqësuesit e TAP monitorojnë kapacitetet e Portit Durrës
Realizuesit e projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik TAP vazhdojnë interesimin për portin e Durrësit, si një mundësi konkrete për transportin e materialeve dhe pajisjeve të ndërtimit nëpërmjet tij. Sot në mesditë një përfaqësi e zgjeruar e këtij Projekti zhvilloi një takim në Drejtorinë e përgjithshme ekzekutive të Autoritetit portual. Drejtori i përgjithshëm, Gazmend Shalsi në përgjigje të interesimit të specialistëve të TAP bëri një ekspoze të kapaciteteve portuale në përpunimin e mallrave të ndryshme, dhe veçanërisht të situatës në Terminalin Perëndimor, që menaxhohet nga APD. Grupi prej 7 specialistësh të TAP që kryesohej nga drejtori i projektit Norman Ingram, u interesua më pas për gjendjen e kalatave, sheshet pas tyre, thellësitë ujore pranë kalatave, tipat e anijeve që akomodohen, elektrovinçave dhe të pajisjeve ngritëse, etj.
Mikpritësit sqaruan në mënyrë të detajuar edhe lidhjet e Portit të Durrësit me autostradat kryesore të vendit dhe kushtet e sigurisë portuale, ndërsa bënë të njohur idenë e rishikimit të tarifave në kushtet e rëndësisë që ka projekti TAP për Shqipërinë.
Më pas specialistët e TAP të shoqëruar nga drejtuesit e APD vizituan Terminalin perëndimor në kalatat 4 dhe 5.
Grupet e specialistëve të APD dhe TAP ranë dakord të vazhdojnë kontaktet dhe bashkëpunimin paraprak për hartimin e një Memorandumi dypalësh.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt për zhvillimin e një tubacioni që do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Evropës. TAP pas lidhjes me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Turko-Grek, do të përshkojë Greqinë e Veriut, Shqipërinë, Detin Adriatik e më pas do të dalë edhe një herë në tokë në Italinë Jugore për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror.
Sot zgjidhet kryeinspektori i Bankës së Shqipërisë
Vendi i Inspektores së Përgjithshme i mbetur bosh në Bankën e Shqipërisë pas largimit të Elivar Golemit, pritet të zëvendësohet sot në seancën plenare të së enjtes në Kuvend. Në Komisionin parlamentar të Ekonomisë u prezantuan dje dy kandidatët Everest Musta dhe Merita Bejtja. Inspektori i Përgjithshëm ka një mandat 5-vjeçar dhe drejton departamentin e Kontrollit të Bankës së Shqipërisë. Pozicioni i kryeinspektorit të BSH-së është bosh pas largimit nga ky post të Elivar Golemit, e cila është në proces gjyqësor për përgjegjësi në vjedhjen e 713 milionë lekëve nga thesari i BSH në korrik të 2014-ës. Dosja e saj është veçuar nga të pandehurit e drejtpërdrejtë për këtë vjedhje, me akuzën për shpërdorim detyre, njësoj si ish-guvernatori Fullani.
Qeveria i bllokoi, lejet e ndërtimit ulen me 81%
Tremujori i katërt i vitit të kaluar shënoi rënie të lejeve të ndërtimit në vend, pas vendimit të bllokimit të lejeve të ndërtimit në fund të gushtit 2014. Gjatë fjalës së tij, në Këshillin Kombëtar të Territorit, në fund të muajit gusht, Kryeministri Edi Rama tha se KKT-ja do të pezullojë dhëniet e lejeve të reja zhvillimore nga autoritetet vendore deri zgjedhjet e 2015. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit në tremujorin e katërt 2014 shënoi një rënie prej 80.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkaq edhe krahasuar me tremujorin e tretë 2014 ky tregues paraqitet me një rënie prej 86.3%. Gjatë këtij tremujori, numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është përqendruar në qarqet Tiranë me 56.8%, Lezhë dhe Vlorë me nga 11.8% secila./standard.al/