Rreth 6 orë ka zgjatur intervistimi i presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Intervistimi për të dytën ditë me radhë ka përfunduar rreth orës 19:00, ndërsa presidenti ka dalë nga objekti i Gjykatës Speciale dhe nuk është prononcuar për media.
Bëhet e ditur se intervistimi i Thaçit do të vazhdojë edhe nesër në orën 13:00.
Gjashtë orë dje dhe gjashtë orë të tjera sot Thaçi është intervistuar në Hagë, pas propozim-aktakuzës kinse për krime lufte gjatë viteve 1998-1999.
Ndërkaq, para se të niste intervistimin të hënën, presidenti i Kosovës deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.
Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë./kp/