INTERPOL refuzon fletarrestin për Popoviq që luftoi krah Rusisë në Ukrainë: Nuk ndërhyjmë në raste me prapavijë politike dhe ushtarake

E publikuar: 26/12/2025 13:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL) ka refuzuar kërkesën e Bosnjë e Hercegovinës për lëshimin e një fletarresti ndërkombëtar ndaj Petar Popoviqit nga Derventa, i cili dyshohet se ka luftuar në anën ruse në Ukrainë.

Sipas dokumenteve në të cilat ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, INTERPOL ka arsyetuar refuzimin duke u thirrur në nenin 3 të Statutit të saj, i cili ndalon rreptësishtë çdo ndërhyrje ose aktivitet në raste që kanë prapavijë politike, ushtarake, fetare apo racore.

Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës kishte kërkuar në muajin maj nga Gjykata e BeH që të urdhëronte shpalljen në listën e të kërkuarve ndaj Popoviqit, 37-vjeçar, i cili pas qëndrimit në Gjermani kishte shkuar fillimisht në Rusi dhe më pas në frontin e luftës në Ukrainë. Gjykata e BeH e kishte miratuar kërkesën dhe ajo ishte dërguar përmes Zyrës së INTERPOL-it në Sarajevë drejt selisë qendrore në Lyon.

Megjithatë, nga Lyoni u përgjigjën se INTERPOL ka rishikuar praktikën e mëhershme dhe, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe rrezikut për neutralitetin e organizatës, nuk do të publikojë më kërkesa të tilla që lidhen me pjesëmarrjen e shtetasve të huaj në konflikte të armatosura.

INTERPOL ka sqaruar se përjashtim do të bëhej vetëm nëse do të kishte prova se personi i kërkuar i është bashkuar një organizate terroriste, ka kryer krime ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur apo ka kryer vepra penale të zakonshme. Autoritetet e BeH-së, sipas përgjigjes zyrtare, nuk kanë ofruar prova të tilla për rastin e Popoviqit.

Pavarësisht mungesës së një fletarresti ndërkombëtar, autoritetet në Bosnjë e Hercegovinë theksojnë se procedurat penale ndaj Popoviqit mund të vazhdojnë në nivel kombëtar, pasi pjesëmarrja në luftëra të huaja përbën vepër penale sipas ligjeve të BeH-së.

Popoviq është një nga rreth 20 shtetas të Bosnjë e Hercegovinës që dyshohet se luftojnë në anën e Rusisë në Ukrainë. Deri më tani, askush në BeH nuk është dënuar për luftim në Ukrainë, ndonëse ligji parasheh dënime me burg për pjesëmarrje në formacione ushtarake ose paramilitare të huaja.