Ndërkohë që Simone Inzgahi sheh t’i shtohen futbollistët në dispozicion për përgatitjet parasezonale, drejtuesit e Interit vijojnë punën në merkato, aty ku duhet një anësor i majtë pas dëmtimit të Buchanan, por edhe një sulmues.
Gjithsesi para se të kalohet te investimet, Ausilio ka për mision të pastrojë organikën nga futbollistët që nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit për sezonin e ri dhe emrat që pritet të lënë zikaltrit janë disa.
Kështu këtë javë pritet që talenti 19-vjeçar Valentin Carboni të transferohet te Marseille në formë huazimi me të drejtë blerjeje për 36 milionë euro, ndërsa Interi do të ruajë të drejtën e riblerjes për 40 milionë euro.
Krahas sulmuesit argjentinas, pritet që nga zikaltrit të largohen edhe uruguaiani Satriano për shifrën e 6 milionë eurove te Brest në Francë, por edhe francezi Lucien Agoume, që pritet të rikthehet te Sevilla, këtë herë përgjithmonë për shifrën e 2 milionë eurove.
Pikërisht këto 8 milionë euro janë planifikuar të investohen për të sjellë një anësor të majtë në skuadrën e Inzaghit, ndërsa trajneri ka theksuar se dëshiron edhe një sulmues që të ketë aftësi dribluese, me Gudmundsson që duket si identikiti ideal.
Islandezi pëlqehet jo pak edhe nga drejtuesit e Interit, të cilët nuk mund të investojnë pa shitur më parë dy sulmuesit aktualë, Arnautovic e Correa, të cilët nuk bëjnë pjesë në planet e Inzaghit, por vijojnë të peshojnë në bilanc.
Austriaku ka oferta nga turqit e Trabzonspor, ndërsa e komplikuar është situata e Correas, të cilit mund t’i ofrohet zgjidhja e kontratës, pasi nuk ka asnjë interes konkret për kartonin e tij.