Interi kualifikohet në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.
Zikaltërit avancojnë në Kupë, pasi mposhtën 0-2 në “San Paolo” Napolin kryesues të Serisë A, falë golave të Jovetic-Ljajic, por padyshim edhe të një Handanovic gjithmonë në superformë. Sarri kursente Higuain në fillim, por jo Hysajn titullar fiks në çdo ndeshje të Napolit, ndërsa Mancini linte Icardin në stol. Napoli më i rrezikshëm në pjesën e parë, por duke gjetur gjithmonë gati Handanovic, si në minutën e 14 në të djathtën fluturimthi të Mertens ashtu dhe në devijimin e Callejon në të 26-tën. Kështu pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura dhe Interin pa asnjë gjuajtje në portë. Gjithsesi kujdesi i skuadrës së Mancinit mbi të gjitha për të mos pësuar u shpërblye në minutën e 74, kur Jovetic shpiku një supergol me një harkim nga distanca që la të shtangur Reina.
Të padobishme tentativat e Napolit me Higuain, madje të hedhur para për të shënuar, vendasit e pësuan pak a shumë si Shqipëria me Serbinë, madje nga i njëjti autor, me Adem Ljajic që avancoi në një kundërsulm të Interit për të vulosur ndeshjen. 2-0 për Interin dhe ndeshje e mbyllur, edhe pse Handanovic ishte gati të fluturonte për të mos lejuar ndryshimin e rezultatit, me skuadrën e Mancinit që avancon në Kupë ku pret të njohë kundërshtarin në gjysmëfinale nga përballja mes Lazios dhe Juventusit.