Mungon ende marrëveshja mes Paris Saint Germain-it dhe Interit por Ezequiel Lavezzi mund të konsiderohet praktikisht një futbollist i klubit zikaltër. Sulmuesi argjentinas ka arritur akordin me drejtuesit e Interit për kalimin e tij në Milano duke pranuar ofertën e 18-herë kampionëve të Italisë, edhe pse tashmë zikaltërit duhet të nisin nga puna për të bindur Parisin të lejojë largimin e Pochos. Interesimi i Interit për 30-vjecarin ka nisur që në muajin Janar vetëm pak ditë pas një miqësorje që italianët zhvilluan me kampionët e Francës në Marrakech, megjithatë në atë periudhë asgjë nuk u konkretizua, kjo për shkak se parizienët nuk kërkonin të privoheshin nga një lojtar i rëndësishëm në mes të sezonit. Por gjatë kësaj vere gjërat kanë ndryshuar shumë pasi në Parc Des Princes ka mbrritur Angel Di Maria dhe për Lavezzin do të jetë e vështirë të gjejë shumë hapsira në formacionin e skuadrës së drejtuar nga Laurent Blanc. Në këtë mënyrë argjentinasi i ka ndezur dritën jeshile Interit duke pranuar ofertën e zikaltërve. Nëse transferohet në San Siro Lavezzi do të përfitojë 3,5 milionë Euro në sezon plus bonuset ndërsa pritet të nënshkruajë një kontratë 2-vjecare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon. Gjithsesi problemi qëndron te kërkesat e larta që ka Paris Saint Germain. Edhe pse ka vetëm një vit kontratë me kampionët e Francës drejtuesit e klubit kryeqytetas kërkojnë nga 10 deri në 12 milionë Euro për ta lënë të lirë ish lojtarin e Napolit. Një shifër e lartë kjo sipas Interit që nuk dëshiron të paguajë më shumë se 5 apo 6 milionë Euro për argjentinasin. Gjithsesi dëshira e futbollistit mund të vendosë shumë dhe në orët e ardhshme pritet që ky operacion merkatoje të mbyllet me sukses. Te Interi po e presin krahëhapur dhe me shumë gjasa Ezequiel Lavezzi do të jetë sulmuesi më i ri i skuadrës zikaltër./ss/